#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #dorelalamaj #saimirlamaj #autizem #abort #depresion #traume #spital #maternitet #femije
“Ka dy javë që fëmija ka vdekur në bark”/ Trauma e tmerrshme e Dorelës: E pashë të binte në tualet
Dëshira për t’u bërë nënë nisi me një traumë të fortë për Dorelën. Protagonistja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan tregon se pas njohjes me mblesëri me bashkëshortin në vitin 2011, nisën bashkëjetesën. Me kohën, vendosën që të kishin një fëmijë por fati nuk qe në anën e tyre dhe iu drejtuan një klinike për fertilizimin “in vitro”.
Pas procedurash e vështirësish të shumta, erdhi shtatzënia e shumëpritur. Muajt e parë të pritjes së ëmbël ishin të vështirë për Dorelën, e që fatkeqësisht nuk ia sollën dot foshnjen në krahë.
Dorela: Ishte një shtatzëni shumë e vështirë. Pas ca kohësh, diku 4 muaj, 4 muajsh e gjysmë, nuk po ndihesha mirë dhe shkoj të bëj një vizitë. Bëj ekon dhe mjekja më thotë që “nuk ia dëgjoj mirë rrahjet e zemrës fëmijës, por mbase nga lodhja ose ndonjë shqetësim që mund të kesh pasur”. Një javë pasi bëj vizitën, ndiej shqetësime, nuk ndieja fëmijën gjallë. Shkoj bëj vizitë te materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, më bëjnë eko dhe më thonë “ka dy javë që të ka vdekur fëmija në bark”. Ishte shumë e tmerrshme se nuk mund t’ia thuash copë një nëne që mund të bëhet prind për herë të parë që ty ka dy javë që të ka vekur fëmija në bark. Më bëjnë shtrimin që ditën tjetër të bëja pastrimin e fëmijës. Gjatë gjithë natës kisha probleme, shqetësime dhe pyesja infermieren që kam këtë shqetësim. Ajo më thoshte që e ke ngaqë ke fëmijën të vdekur, por duhet të qetësohesh deri nesër sa të vijë mjeku për të bërë pastrimin e fëmijës. Në orën 4 e gjysmë të mëngjesit, ndieja shqetësim prapë dhe e lajmëroj infermierien. Vjen dhe më jep një paracetamol që të qetësohesha. Nuk u qetësova. Në orën 5 të mëngjesit shkoj në tualet. Aty bëj abort spontan, më bie fëmija në tualet, më ikën në tubacione. Çohem, normalisht e tmerruar nga ç’ka pashë. Çohem, shkoj lajmëroj infermieren dhe i them më duket se më ra fëmija në tualet. “Nuk ka mundësi”, tha “por shko shqetësohu se ke shqetësime nga aborti sa të vijë mjeku që të vijë të bëjë pastrimin”. Që në orën 5 që bëj abortin deri në 8 të mëngjesit, mua nuk më prek njeri me dorë. Vjen mami im, siç bëjmë vizitat dhe më sheh të larë në gjak. Lajmëroi mjekët, bëhet alarmante, më bëjnë eko dhe mjekët më thonë “si ka mundësi se ti nuk ke fëmijë në bark?”
Ardit Gjebrea: Ata nuk e besonin atë që të kishte ndodhur ty?
Dorela: Panë dokumentet që kisha ekot që u bindën që unë isha shtatzënë dhe kam bërë abort spontan. Që nga ajo ditë, 3 muaj rresht kam qenë në depresion. Nuk besoja as në Zot, as në asgjë. Vetëm burri dhe familja ime më kanë ndenjur afër për ta kaluar këtë periudhë.
Mësuan diagnozën e djalit, sfida e vështirë e çiftit: Burri s’e pranon dot
Mëmësia është rrugëtimi më i bukur dhe i pritur për shumë gra, por për Dorelën rezultoi një sfidë e vërtetë. Me shumë vështirësi, ajo mundi të mbetej shtatzënë përmes fertilizimit “in vitro”, por shtatzënia nuk rezultoi e suksesshme. Për dy javë, pa e ditur, ajo mbajti fëmijën e vdekur në bark derisa e abortoi spontanisht në tualetin e maternitetit.
Kjo ngjarje, tregoi ajo për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e bëri të përjetonte depresion. Sapo çifti vendosi që të birësonte një fëmijë, Dorela mëson se këtë herë kishte mbetur shtatzënë. Edhe kjo shtatzëni pati shumë vështirësi për të, por më në fund në jetën e saj dhe të Saimirit erdhi një djalë. Koha tregoi që përpara i priste një tjetër sfidë.
Dorela: Me rritjen e djalit kuptuam që diçka nuk shkonte. I bëjmë vizitat në psikologë vlerësues, terapistë dhe marrim vesh që ishte me çrregullim të spektrit autik. Kjo ishte një sfidë akoma më e vështirë për ne se nuk e dinim çfarë i hahej, kur i pihej, çfarë i dhimbte. E çoja nëpër kopshte, nuk ma pranonin se nuk pranonte të rrinte me shumë njerëz, bëhej agresiv. Kam ndërruar katër kopshte, i vetmi kopsht është ky që e kam tani momentalisht që ma ka mbajtur edukatorja, Lavdia, madje çuni është shumë i lidhur me të, i thërret “nëna Lida”. Çunin e kemi ndjekur më parë me terapi, por në pamundësi ekonomike ia kam ndërprerë. Burri punon kamarier, unë punoja në fasoneri por u detyrova e lashë punën për shkak të djalit se më duhet ta ndjek nëpër terapi. Po kalojmë sfida të vështira si çdo çift, por faleminderit Zotit e shyqyr Zotit kam djalin, jam më e plotësuar, pavarësisht sfidës, pavarësisht problemeve. Është dashuri, janë… nuk e di. Unë sot kam thirrur burrin se ai nuk e pranon dot faktin që djali ka këtë problem. Nuk po e pranon dot pse duhet të na bjerë neve kjo sprovë.
Ardit Gjebrea: Pra mund të themi që ti je më eforta në atë shtëpi?
Dorela: Po! Duhet të bëhem e fortë për djalin, ka nevojë për mua, ka nevojë për dashuri, ka nevojë që t’i qëndrosh pranë pavarësisht se ka problemin, unë nuk e vë në dukje, në rast se burri thotë që “pse duhet t’i kalojmë ne këto”, i kam thënë që duhet të bëhemi të fortë.
Ardit Gjebrea: Pra Saimiri të duket më i dorëzuar?
Dorela: Është më i mbyllur në vetvete.
Ardit Gjebrea: Ka ndryshuar si karakter.
Dorela: Nuk del, është i ndrojtur, nuk hapet, thjesht në punë e shtëpi. Unë i them duhet të dalësh, thotë “por jo kemi djalin…”
“Djali ka nevojë për ne”, forca e dashurisë triumfon mbi sfidën: Me ty deri në frymën e fundit!
Dorela dhe Saimiri janë një çift që janë përballur me momente të mundimshme dhe përpara i pret një tjetër vështirësi që kërkon gjithë zemrën e mendjen e tyre. Dorela e ndau historinë në “Ka Një Mesazh Për Ty” ku tregoi për dëshirën për të pasur fëmijë, humbjen e foshnjes së parë, depresionin e tanimë, ardhjen në jetë të djalit për të cilin kanë mësuar se ka spektrin e autizmit.
Arsyeja e ardhjes së saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan është shoku i jetës, Saimiri i cili nuk e pranon dot situatën e vështirë ku gjenden. Dorela ka vënë re ndryshime te Saimiri dhe ajo e ka thirrur për t’i kërkuar që të bëhet i fortë e t’ia dalin si gjithnjë, ndërsa ky i fundit tregon se nuk do ta lërë kurrë vetëm.
Dorela: Çkemi zemër?
Saimir: Mirë shpirt!
Dorela: Më fal që të gënjeva!
Saimir: S’ka gjë!
Dorela: Ta dish që të dua shumë. Pavarësisht çdo gjëje, ne do ia dalim, do ia dalim gjithmonë siç ia kemi dalë. Unë nga ty thjesht dua që ti të bëhesh i fortë e ta kalojmë këtë sfidë me djalin që kemi. Dua që ti ta pranosh sfidën e t’ia dalim bashkë se djali ka nevojë për ne, ka nevojë për dashurinë tonë, ka nevojë të rritet për ne. Të dua shumë!
Saimir: Princesha ime, ti e di që ndoshta këto kohë, ti e di shumë mirë që çfarë ka ndodhur midis dy familjeve tona, edhe humbjet që ne patëm dhe ka qenë një moment shumë i vështirë, ma beso këtë, por ideja është që dua të dish, do të ta them sot sy për sy, ti e di që unë ta kam thënë, nuk është se po mohoj sot gjë, ti do ta kesh gjithmonë mbështetjen time deri në frymën time të fundit. Ti dhe djali jeni jeta ime, jeni ajo çfarë unë dua, jeni ajo çfarë unë kam krijuar. Unë do të mundohem të bëj të mirën, do të mundohem sado që të rrëzohem do të ringrihem. Do të jem për ty, për djalin dhe për çdokënd që do të ketë nevojë për mua.
/tvklan.al