Sot “E Diela Shqiptare” ka përmbysur strukturën e përjavshme pasi nuk mund të mos flisnin për tragjedinë që ndodhi në vendin tonë. Të gjithë kemi në dorë diçka, dashurinë për njëri-tjetrin… Të gjithë së bashku le t’i zgjatim dorën atyre që sot kanë më shumë nevojë..
“Fle përjashta, jam e sëmurë…”, shtëpinë ia ndërtoi burri i ndjerë, tërmeti ia shkatërroi
Dhimbja është e madhe për gjithë personat e prekur nga tërmeti. Ardit Gjebrea ka vizituar në Thumanë një tjetër familje. Kryefamiljarja Sabrie Xhixha mes lotëve tregon situatën e vështirë ku ndodhet pas tërmetit.
Sabrie Xhixha: Këtu jetoj prej 30 vitesh në këtë shtëpi, s’kam pasur mundësi ta bëj.
Ardit Gjebrea: Çfarë ke punuar gjatë gjithë kësaj kohe?
Sabrie Xhixha: Unë në shtëpi, jam e sëmurë, kështu në fshat.
Ardit Gjebrea: Bashkëshorti?
Sabrie Xhixha: Bashkëshorti më ka vdekur, ka 5 vjet.
Ardit Gjebrea: Ke fëmijë?
Sabrie Xhixha: Kam 3 fëmijë.
Ardit Gjebrea: Ku janë?
Sabrie Xhixha: Dy gocat i kam të martuara, djalin e kam pa martuar, ka dalë të punojë në Greqi, ka lënë shkollën… Pastaj komuna më ka dhënë 30 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Me ato 30 mijë lekës s’jam e zonja për asgjë, as për bukë, as për ilaçe.
Ardit Gjebrea: Fëmijët nuk të kanë ndihmuar?
Sabrie Xhixha: Më kanë ndihmuar për të ngrënë, por nuk kanë… Jetesa e shtëpisë, kam lagështirë, më rrjedh tarraca, tërmeti bëri punën e vet. Tani jam katastrofë.
Ardit Gjebrea: Çfarë të dëmtoi tërmeti?
Sabrie Xhixha: Ja ma ka dëmtuar dhomën komplet, është e pabanueshme, nuk jetohet brenda. Rri përjashta, fle përjashta, jam e sëmurë. Unë i kërkoj shtetit të më ndihmojë, të bëhem edhe unë pjestare si gjithë të tjerët, t’i kaloj ditët e pleqërisë edhe unë të mira. Kam vuajtur bukë e pa bukë.
Ardit Gjebrea: Pse nuk shkon tek çadra?
Sabrie Xhixha: Nuk mundem të shkoj tek çadra.
Ardit Gjebrea: Pse?
Sabrie Xhixha: Unë do rri këtu se kam arsye, përdor pompë.
Ardit Gjebrea: Po aty kanë ardhur edhe italianët me autoambulancën.
Sabrie Xhixha: E di, por e kam të pamundur, kemi ç’ështje familjare, nuk mundem.
Ardit Gjebrea: Do shikojmë Sabrie, shpresojmë shumë të bëjmë ndonjë gjë për ty.
Sabrie Xhixha: Shumë faleminderit!
Në studio, Ardit Gjebrea tregon se rasti i zonjës Sabrie u zgjidh sepse Albrimi nga Zvicra jep një shtëpi për një vit për nënën në Thumanë dhe 100 euro në muaj. Por gjithashtu gjatë këtij viti, “Telebingo Shqiptare” merr përsipër që t’i ndërtojë shtëpinë zonjës Sabrie.
Arkitekti: Ndërtesat përbëjnë elemente të provës, të prishen pasi të hetohen
Ndërtesat e shembura nga tërmeti përbëjnë objekt të hetimit ligjor dhe teknik.
Ky është mendimi i arkitektit Marin Biçoku. Ai ishte i ftuar këtë të diel në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ku tha se ky proces duhet të jetë transparent që të jetë i besueshëm tek qytetarët.
Biçoku u shpreh se për rastet duhet një hetim i thelluar rast pas rasti.
“Patjetër që hetim duhet të ketë se sa kohë ka pasur qytetarë që kanë humbur jetën ka elementë të veprës penale apo të një situatë hipotetike. Lidhur dhe me atë që thashë më përpara është e rëndësishme për të përfituar besimin e qytetarëve te shteti, një hetim të thelluar, individual rast pas rasti. Ju me drejtë mund të bëni pyetje pse u ndërtua kjo ndërtesë, pse u ndërtua ajo ndërtesë dhe është shumë e vështirë të japësh një përgjigje nëse nuk ka një hetim ligjor dhe teknik të detajuar.
Besoj se një nga elementet që mund të jetë me vlerë për t’u sugjeruar në momentin që ne flasim, prishja e ndërtesave që e kanë humbur integritetin strukturor duhet të bëhet vetëm pasi të jetë bërë procesi i hetimit teknik dhe ligjor. Duam apo nuk duam ne, ndërtesat pavarësisht se kanë pësuar kolaps total përbëjnë elementë të provës të cilat i vlejnë dhe prokurorëve për të zhvilluar hetimet e tyre, por vlejnë edhe nga pikëpamja teknike shkencore për të kuptuar se si janë sjellë ndërtesa të ndryshme, të viteve të ndryshme ndaj këtij tërmeti. Prandaj është e rëndësishme për opinionin tim që përpara se ndërtesat, sigurisht që duhen siguruar për të mos pasur rrezikshmëri të qytetarëve që vijnë rreth e qark, por duhen analizuar përpara se të rrafshohen komplet dhe më pas të largohen. Si për anë teknike dhe ligjore. Do duhet transparent procesi në mënyrë që rezultati që do dali mund t’i pëlqejë apo jo qytetarëve të jetë i besueshëm”, tha arkitekti.
Tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor shkaktoi 51 viktima. Ndërkohë shumë pallate dhe banesa janë shembur ose dëmtuar rëndë duke lënë në qiell të hapur familje të tëra.
Nënë e bir jetojnë rrugëve të lagjes së braktisur, aty ku 5 ditë më parë kishin shtëpinë
Askush nuk arriti të thotë dot mirmëngjes në orët e para të 26 Nëntorit. Tërmeti i fuqishëm 6.4 ballë që goditi Durrësin ende pa u zgjuar, ndryshoi përgjithmonë jetën e banorëve të tij.
Jetë të humbura, qindra të plagosur, banesa të rrënuara brenda atyre 30 sekondave fatale që nuk do të harrohen kurrë. E teksa ditën përditësohen bilancet e tragjedisë, nata të trishton.
Durrësi të mirëpret me heshtje në rrugicat e zbrazura, me pallate të braktisura nga frika e lëkundjeve të tjera. Aty kanë mbetur më të pamundurit, si nënë Lutfia, 80-vjeçare dhe djali i saj invalid, Luan Alushi, 47 vjeç.
Sillen rrotull Lagjes 16, aty ku kanë banuar deri para 5 ditësh, në një apartament në katin e dytë të një pallati, i cili është braktisur nga frika e shembjes.
Pamundësia fizike ka bërë që të flenë jashtë, mes të ftohtit dhe shiut.
“Ishim në gjumë. O Luan thashë, ç’është kjo tronditje mi nonë? Ou tërmet, tha ky mome. Zbrita poshtë unë. Një këmbë në divan një këmbë në këpucë, s’kam fuqi. Dolëm te shkallët ne, tërmet, tërmet tha pallati pastaj. Shtëpia filloi të krisjes. Ou mor bir i thashë, ngelëm pa shtëpi, mbetëm rrugëve. Ik e ndalo tek trotuaret kështu… Të nesërmen mbetëm në rrugë. Nuk kishim fuqi. Edhe këtë e kapi këmba, sepse i ka rënë trompozë. I ra edhe në kokë, i ka rënë dy herë”.
Përse nuk jeni strehuar diku te këdo çadrat që i ka vënë në dispozicion?
“Çadrat ishin plot-plot, ku di unë se ku kishin gdhirë. Ky s’ishte për vete dhe unë po, mbetëm jashtë. Ashtu kemi ndenjur pa ngrënë. Erdhën parmbrëmë me makinë na sollën një picë, një bidon ujë të vogël, aq ishte. Kush donte me ngrënë të keqen, kush donte me ngrënë. Po unë jam me zemër, me tension, me astmë. Unë rri në rrugë”.
Po për ilaçe si ia keni bërë?
“Me thënë të drejtën kam hyrë borxh, bëfshin hajër që mi kanë dhënë, bëfshin hajër, m’i kanë dhënë ilaçet. Edhe të zemrës…“
Në shtëpi nuk kthehen dot, e as me të afërmit nuk janë lidhur. Nuk kanë fuqi as të kërkojnë ndihmë.
“Nuk ka asnjë, kanë ikur të gjithë nga frika. Unë edhe vëllezërit nuk i kam parë nuk e di nga bëhen. Nuk e di”, tregon Luani.
Si ia keni bërë për të fjetur?
“Po ja kështu, ç’të të them vëllai, unë jam shtrirë edhe këtu sot. U shtriva pak se nuk më mbanin më këmbët. Ç’të bëj, ku të shkoj. Shkova te palestra, aty ishte plot. Doli njëri tha nuk ka vend. Hajde mome i thashë, ikim aty ku ishim. Shkuam sërish aty tek ajo e autobusit, duke ndenjur aty.”
Zonja Luftie nuk keni të afërm ku mund të strehoheni?
“Jo nuk i kemi këtu ne”.
Ku do strehoheni, ku do rrini?
“Po nuk gjetëm ne këtu do të rrimë, po nuk na gjetën, këtu do vdes. Këtu… Këtu do vdes, nuk shkoj tjetërkund”.
Nuk keni marrë ju ndihma kur kanë ardhur me furgon?
“Nuk shkonim dot”.
Edhe për sa ditë mund t’ju mjaftojnë lekët për të jetuar, të paktën për të ngrënë bukë?
“Ça hamë ne? Bukë thatë, me një spec, me gjysmë domate. Gjë tjetër nuk shohim më. Me një kokërr vezë lyeje bukën dhe haje, mos bëj me zë dhe është tepër, është tepër veza tek unë me djalin. Po sheh tjetër njeri më? Edhe ky nuk është sakllam për vete. Unë po e mbaj atë. Edhe kam dhe nuk e hedh dot poshtë, mezi e kam rrit”.
Dikur ishin një familje e madhe, të rritur me vuajtje ekstreme, por të lumtur sepse kishin arritur të siguronin një strehë. Sot janë pa asgjë, pa shtëpi, pa të afërm, pa mbështetje, me shëndet të rrënuar e shpirt të vrarë, në mëshirë të fatit, por fatmirëisht janë gjallë, megjithatëse kjo nuk mjafton. Fati i tyre është i varur mbi një shkop, por që nuk do të rezistojë për gjatë, kërkohet ndihmë.
“Të paktën të vdes në shtëpi, të mos vdes rrugëve”, thotë nënë Lutfia.
Në studio, Ardit Gjebrea jep lajmin e mirë për nënë Lutfien dhe djalin e saj.
“Falë Zotit ne kemi shumë miq dhe ky është dhe misioni i programit tonë sot. Berti, shefi i restorantit “Deli Fish” në Tiranë duke parë këtë rast më dërgon mesazh: Ardit për një vit unë do t’i siguroj ushqimin dhe qiranë, ku të jetoj nënë Lutfia bashkë me djalin e saj”.
Ardit Gjebrea viziton familjen Caci në Thumanë: Zoti e di sesi kemi shpëtuar
‘E diela Shqiptare’ në Tv Klan vjen ditën e sotme me një program krejtësisht ndryshe, kushtuar tërësisht të prekurve nga tragjedia e ditës së martë, ku si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 51 persona.
Ardit Gjebrea ka shkuar në Thumanë për të parë nga afër situatën dhe për të vizituar personat e prekur nga tërmeti.
Fatmir Caci tregon tmerrin e përjetuar natën e tërmetit dhe thotë se është një mrekulli nga Zoti, që ai dhe familja e tij janë shëndoshë e mirë.
Fatmir Caci: Atë natë kemi parë tmerr. Isha vetëm me gruan në shtëpi, ra tërmeti i parë dhe i thashë gruas mos lëviz dhe na zuri gjumi për së dyti. Duke rënë suvaja mbi krevat, neve pastaj duke dalë. Llogarit kemi qenë shtrirë, kur filloi të binte suvaja filluam të dilnim. Janë akoma sipër krevatit, copat e suvasë.. Kur kemi dalë nga dera ka rënë kulmi me llaç. Sa kemi dalë ne, që jemi larguar ka rënë kulmi në tokë. Kulmi është 5-6 kile.. Zoti e di sesi kemi shpëtuar, nuk e dimë. Kjo ka qenë një mrekulli për neve. Pastaj filluam të marrin njerëzit tanë në telefon. Kur morëm vesh për pallatet që kishin rënë atëherë u tmerruam më keq. Unë akoma e përjetoj, njerëzit kanë hyrë tek shtëpia e vëllait, kam futur gruan dhe gocën, unë akoma nuk kam hyrë në shtëpi natën, as tek shtëpia e vëllait jo. Nuk e di. Vëllai më thoshte dje: Hajde hyr në shtëpi, unë nuk guxoja të hyja, edhe pse ishte plot me njerëz. Edhe më duket çdo minutë sikur lëviz prap… Nuk e di, por do kalojë“.
Ardit Gjebrea: Unë sot nuk kam ardhur vetëm, por kam ardhur me disa miq shumë të mirë dhe kemi ardhur për të dhënë një kontribut. Të gjitha gjërat duhen bërë siç duhet, që do të thotë për të bërë një shtëpi duhen specialistët që janë duke ardhur, janë miqtë e mi që nuk më kanë lenë vetëm. Erdhëm pamë zonën dhe vendosëm që të japim kontribut për një familje. Ju e dini që ne organizojmë një aktivitet që quhet “Kënga Magjike”. Në fillim po mendonim mos e bënim këtë aktivitet, por më pas u mblodhëm të gjithë së bashku dhe thamë: Ne do këndojmë për të ndërtuar. Që kështu nga “Kënga Magjike”, nga të ardhurat e biletave, brenda 6 muajve t’i do kesh një shtëpi të re.
Fatmir Caci: Faleminderit shumë Ardit, edhe kënga nuk ndalohet asnjëherë se pa këngë nuk ka jetë… Ndoshta s’më besoni, por jam shumë i gëzuar për këtë që po bëni, por jam shumë i hidhëruar për shokët e mi.
Ardit Gjebrea:Unë jam mirënjohës të gjithë këngëtarëve sepse kur iu komunikova që ne këtë vit do ta bëjmë Këngën Magjike për këtë qëllim, ata janë shumë të lumtur. Ky komunitet dhe ky aktivitet që do të gjenerojë këto të ardhura, unë shpresoj që publiku ta mbushë Pallatin e Koncerteve sepse kanë një motiv më shumë për të ardhur, jo vetëm për t’u kënaqur me festivalin, por edhe për të kontribuar.
Familja vendos kambanën në mes të çadrës: O Zot, katastrofa e zezë
Kjo është shtëpia e familjes Zgura në Pezë, një nga fshatrat më të dëmtuara në Tiranë. Kjo familje ka 5 anëtarë, Pranvera, bashkëshorti i saj dhe 3 fëmijët.
Tërmeti i 26 Nëntorit i ka gjetur si gjithë të tjerët, në gjumë.
“Edhe tani kur i kujtoj ato momente më rrëqethet mishi. Nuk më hiqet nga mendja, thamë se na zuri shtëpia përfund”.
Natën e parë e kanë kaluar jashtë tek shkallët, të mbështjellë me batanije. Pas pak orësh i kanë sjellë ndihma me ushqime dhe këtë çadër të madhe që i mbron nga shiu, por jo nga lagështia.
“Çadra poshtë është ujë. Vajza qëkur jemi futur në çadër, kollitet jashtë mase. Është shumë katastrofë, kur më shkon mendja, mendoj për fëmijët… shumë e stresuar”.
Çfarë mendon?
“Do më sëmuren, ku t’i çoj, ça t’i jap. Nuk e di. Mami, thotë, ku do rrimë ne? Ku do hamë ne? Ku do lahem unë, sepse vajza ime më së shumti një herë në dy net, lahej në govatë. Banjën për shembull e kemi pasur jashtë, na u shemb, s’ka ku të lahet, ku do lahet goca. Fëmijët, unë, burri, nuk kemi ku të lahemi. Se ku do rrinë fëmijët e mi tani, nuk e di. Rrihet aty në çadër? Aty nuk rrihet”.
Frika për të ardhmen i shtrëngon zemrën, por as të tashmes s’i beson. Një kambanë e varur në çadër është sinjali që lajmëron nëse bie një tërmet, edhe pse tashmë jetojnë në oborr.
“Nata është shumë e gjatë. Gjithë natën shoh orën kur po gdhin, sepse o Zot, katastrofa e zezë. Them ishalla nuk erret që të lëvizim ditën të paktën”.
Pranvera ka 20 vjet nuse në këtë shtëpi, e cila është ndërtuar 50 vite më parë. Bashkëshoqëruese të pandashme të jetës së saj ka pasur varfërinë, sëmundjet e fëmijëve dhe operacionet e bashkëshortit. Nuk ka pasur kurrë një punë, as ujë në shtëpi. E mbush me krahë, 20 minuta larg. Por kur të ndodh më e keqja, çdo vuajtje e mëparshme të duket më e lehtë.
“Ne ishim mirë, punoja për fëmijët, shkoja në pyll, bëja dru për të rregulluar fëmijët. Shtëpinë nuk e bëj dot tani, s’kam me çfarë ta bëj. Vetëm fëmijët kam tani, asgjë tjetër nuk kam, asgjë nuk kam tani”.
Njerëzit e afërm i ofrohen për ta strehuar, por ajo nuk do t’i shqetësojë.
“Vetëm një motër kam. Ajo më ndihmon shumë. Më lutet çdo ditë, çdo natë, hajde! I vjen shumë keq për mua, për fëmijët. Edhe kunati këtu që kam afër më ka thënë, shumë herë”.
Po përse nuk shkon?
“Nuk shkoj dot, sepse ka edhe ai familjen e tij, ngushtë është për të fjetur, nuk shkoj dot, sepse nuk është një ditë, është një jetë e tërë. Nuk iki dot, fëmijët, një nuk më vjen djali, do rrijë në shtëpinë time thotë, qan çuni”.
Të gjitha të ardhurat e familjes janë 40 mijë lekë rroga, lopa,10 krerë bagëti e disa pula.
Ardit Gjebrea jep në studio edhe lajmin e mirë për këtë familje. Sulejman Çela nga New York ka vendosur të kontribuojë me një shumë prej 10 mijë dollarësh, për ti ndërtuar shtëpinë. Vajza e tyre 13- vjeçare, së bashku me një shoqe kanë ngritur një llogari për çeljen e disa fondeve dhe deri tani janë grumbulluar rreth 9 mijë dollarë, por ata do ti bëjnë 10 mijë dollarë.
Tërmeti i shkatërroi shtëpinë, shtohet barra mbi supet e Bilalit: Kam 25 vjet që vuaj
Bilal Qoku nga Krraba po jeton në kushte tepër të vështira. Shtëpia e tij është bërë e pabanueshme për shkak të tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit.
Ai ka dy vajza dhe një djalë. Vajzën e madhe e ka të martuar. Ndërsa bashkëshortja e Bilalit është e sëmurë pasi vuan nga depresioni, dhe tërmeti i fundit e ka rënduar më shumë gjendjen e saj shëndetësore. Në këtë shtëpi të rrënuar jeton edhe nëna 84-vjeçare e Bilalit.
Emisioni “E Diela Shqiptare” në Tv Klan pa nga afër kushtet si banon kjo familje. E vetmja gjë që ata kanë për të jetuar, është rroga 200 mijë Lekë të vjetra si roje e Bilalit.
Ky i fundit thotë se e gjithë jeta e tij ka qenë një maratonë vuajtjesh. “Kam mbi 25 vjet që vuaj” shprehet ai. Fati nuk ka qenë fort bujar me të, por Bilali i mban shpresat tek Zoti, që më në fund pas kaq vitesh situata të ndryshojë për mirë.
Bilal Qoku: Unë kam vuajtur gjithë jetën. Jemi rritur jetimë, babai më ka vdekur në ’70-ën. Ka qenë duke punuar, kur i ka rënë një infarkt. Kemi qenë 6 fëmijë, pastaj u martuam të gjithë. Unë ngela këtu sepse kushte nuk kisha.
Kjo është shtëpia e babait?
Bilal Qoku: E babait. U martova, fati nuk… nusja u sëmurë, nga kushtet që kishim. Ishim të varfër. Kaloi në depresion. Pas 1 viti e ca linda fëmijën e parë. Nusja vetëm i jepte gji, më shumë unë e kam rritur fëmijën. I laja rrobat vetë, çdolloj gjëje vetë?
I laje ti?
Bilal Qoku: Nuk kishte kush t’i lante më. Sepse kishim edhe nënën, kishim një lopë. Plaka do ikte ditën, jo lopa, jo kjo, jo ajo. Unë i kam bërë më shumë vetë punët. Edhe për të gatuar vetë. Kur jam në shtëpi, bëj gjellë, kur s’jam unë…
Nusja është e pamundur fare?
Bilal Qoku: Nusja nuk ngrihet, rri shtrirë. Do qetësi, nuk do zhurmë, do të mos e mërzitësh fare. Ka kaluar një depresion shumë të madh. Edhe nusja është bërë në këtë gjendje është sepse i rri mendja tek shtëpia.
Ku ndodhet nusja juaj?
Bilal Qoku: Në spital. E kam çuar dy-tre herë në spital, është shtruar herë pas here, por tani u bë më keq, prej shtëpisë.
Pse si e përjeton ajo këtë pjesën e shtëpisë?
Bilal Qoku: Po ajo aty e ka hallin, vetëm shtëpia thotë. Të kem shtëpi nuk dua gjë tjetër. Unë më tha mund të bëhem edhe më mirë, po të kem shtëpi. Ra tërmeti herën e parë, tani ra prapë, e bëri më keq. Na kanë vënë një çadër, por kushtet nuk janë aq të mira sepse nuk ka as vend asgjë, ku të jetosh, ku të rrish. Shtëpitë janë të pabanueshme.
Më tregoni pak, ju sa fëmijë keni, si është jeta juaj?
Bilal Qoku: Kam 3 fëmijë. Kam një djalë dhe dy vajza. Vajzën e madhe e kam martuar, të dy të tjerët, djalin dhe vajzën tjetër është në shkollë.
Si ia dilni?
Bilal Qoku: Shkoj roje, roje me 200 mijë lekë që marr, me atë do të mbaj familjen, çfarë të bëj. Kam vuajtur gjithmonë, nuk më del, vetëm nëpër spitale për nusen, e duke marrë ilaçe, nuk më del që të ndërtoj e të bëj shtëpi. Edhe kushtet që kam nuk e bëj dot shtëpinë.
Sa vite ka që është e sëmurë nusja?
Bilal Qoku: Që prej ’94 kur jam martuar unë, e deri sot. Por nuk ka qenë kaq keq, ka 5-6 vjet që është bërë në gjendje shumë të keqe. Një herë piu ilaçe, një herë preu duart, herën e fundit piu helm. Kishte pirë helm, po kishte qenë i prishur.
Aktualisht ndodhet në spital prej tërmetit?
Bilal Qoku: Më shumë prej tërmetit, edhe ka thënë që nuk u bë gjë për shtëpinë unë do bëj ndonjë gjë prapë. E vuan shumë pjesën e shtëpisë. Unë nuk kam kushte që të bëj shtëpi vetë.
Natën e 26 Nëntorit ku ishit? Si e përballuat?
Bilal Qoku: Ishim në gjumë. U trembën sepse u shemb edhe oxhaku, një zhurmë e madhe. Dolëm jashtë e dy fëmijët dhe plakën.
Po nëna çfarë moshe ka?
Bilal Qoku: 84 vjeçe. Është në një gjendje, mosha e të gjitha… Ajo do hyzmet, kush t’ia bëjë. Po nuk pate dhe grua që t’i bëjë hyzmet shtëpisë.
Ju jetoni në çadër tani?
Bilal Qoku: Po edhe në çadër kemi ndenjur. Është vend i papërshtashëm, futet shiu. Kemi ndenjur edhe tek kuzhina e vogël se është më ndryshe.
Përse nuk shkoni tek vëllai?
Bilal Qoku: Vëllai ka martuar djalin, ka fëmijët, nuk ka kushte për të ndenjur tek vëllai.
Prej sa vitesh është ndërtuar kjo shtëpi?
Bilal Qoku: Kjo, siç tregojnë, është shtëpia më e vjetër që ekziston, mund të jetë 100-vjeçare. Ka qenë bërë përnjëherë 3-4 shtëpia, ato kanë mbi 20-30 vjet që janë shembur, vetëm kjo ka ngelur. Vëllezërit u ndanë, ikën u martuan, u larguan. Vetëm unë ngela këtu. Unë nuk ika dot prej nuses, gjithë jetën që vuaj nëpër spitale, nëpër hoxha. Edhe nuk pata kushte që të largohesha. Unë sot po vuaj, kam mbi 25 vjet që vuaj.
Ku e ke shpresën?
Bilal Qoku: Unë e shpresën e kam te Zoti në radhë të parë, pastaj tek njeriu. Te njerëzit që mund të më ndihmojnë.
Ardit Gjebrea në studio tregon se Astriti që jeton në Londër, ja lë në dispozicion për një vit shtëpinë që ka në Elbasan, kësaj familjeje.
Surpriza e veçantë: Edhe këtu nuk m’u ndatë?!
Vogëlushja Aristea në ”Ka një mesazh për ty” i ka bërë një surprizë të bukur gjyshes së saj. Ajo është 6 vjeç dhe tani mendon se është e rritur dhe nuk dëshiron që gjyshja e saj ta trajtojë më si të vogël. Njëkohësisht ka dhe disa kërkesa për të. Të mos gatuajë ushqime të shijshme, sepse në këtë mënyrë nuk po mundet dot të dobësohet. Por Aristea shqetësohet edhe për sh֝ëndetin e gjyshes dhe kërkon prej saj që të mos punojë shumë.
Por vogëlushja ka ardhur edhe për një tjetër surprizë. Për të realizuar këtë në studio vijnë edhe shokët dhe shoqet e klasës së saj me buqeta me lule në duar.
Personi që vogëlushët duan të ftojnë në studio është mësuesi i tyre, i cili shumë shpejt del në pension. Por, surpriza nuk mbaron këtu sepse profesori i Aristeas ka qenë gjithashtu edhe profesori i gjyshes së saj.
LEXO MË TEPËR: Surpriza e veçantë: Edhe këtu nuk m’u ndatë?!
Mbesa e vogël i liston kërkesat: Problemin e kam me gjyshen
Kur një fëmijë i vogël fillon e rritet, pjesa më e vështirë është që të rriturit të kuptojmë që nuk është më fëmijë. Ato që e kanë më shumë problem janë gjyshet, që akoma i trajtojnë si të vogla. Aristea e vogël ka ardhur në studion e “Ka një mesazh për ty” sepse ka një kërkesë për gjyshen e saj.
LEXO MË TEPËR: Mbesa e vogël i liston kërkesat: Problemin e kam me gjyshen
“Kushëriri i burrit më mbajti të mbyllur për 14 muaj, donte të më merrte vajzat”
Historia e sotme në “Ka një mesazh për ty” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është tepër e veçantë dhe e dhimbshme. Esmeralda në vitin 2008 mbetet vetëm me dy vajzat e saj, pas vdekjes së bashkëshortit.
Por situata për të përkeqësohet edhe më shumë sepse kushëriri i burrit i merr dokumentet e shtëpisë ku jetonte dhe e mban të mbyllur për 14 muaj brenda.
Vuajtjet për Esmeraldën nuk mbarojnë këtu, pasi ai tenton t’i marrë pasurinë e bashkëshortit, dhe dy vajzat. Falë ndihmës së djalit të xhaxhait të saj, ajo arrin të “shpëtojë” prej tij dhe të rifitojë shtëpinë e bashkëshortit.
LEXO MË TEPËR: “Kushëriri i burrit më mbajti të mbyllur për 14 muaj, donte të më merrte vajzat”
/tvklan.al