Franca po voton në një nga zgjedhjet e saj më të rëndësishme ndër vite, me të djathtën ekstreme që shpreson për një fitore historike.
Kjo është hera e parë që Tubimi Kombëtar kundër emigracionit i Marine Le Pen dhe Jordan Bardella ka pasur një shans realist për të drejtuar qeverinë dhe për të marrë kontrollin e plotë të Asamblesë Kombëtare.
Ka 577 vende në parlamentin francez dhe parashikimet pas raundit të parë të së dielës i dha Tubimit Kombëtar një shans për të siguruar një shumicë të plotë prej 289. Megjithatë, sondazhet tregojnë se Partia e Tubimit Kombëtar e ka të pamundur të sigurojë një shumicë të plotë.
Por pas fitores në raundin e parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën e kaluar, qindra kandidatë rivalë u larguan për t’u dhënë të tjerëve një shans më të mirë për të mposhtur të djathtën ekstreme. Votimi filloi në Francën kontinentale në orën 08:00 ndërsa qendrat e votimit do të mbyllen në orën 22:00.
Siguria ishte tashmë e rreptë dhe tani 30,000 policë janë vendosur për një periudhë tensioni të shtuar politik. Alarmi është vendosur në vend pasi rezultatet mund të shkaktojnë dhunë në Paris edhe qytete të tjera franceze.
Tubimi Kombëtar ka zbutur shumë nga politikat e tij, por ende kërkon të luftojë emigracionin e paligjshëm, do të pengojë Kievin që të përdor armë me rreze të gjatë të furnizuar nga Franca për të goditur Rusinë dhe synon të heqë të drejtën e shtetësisë për fëmijët e emigrantëve që kanë kaluar pesë vjet nga mosha 11 deri në 18 vjeç në Francë.
Megjithëse presidenti francez Emmanuel Macron do të mbetet president, bashkëjetesa politike ku presidenti dhe qeveria janë nga vija të ndryshme politike mund të sjellë përplasje të mëdha në vend.
Pas këtij raundi, presidenti do të emërojë një kryeministër të ri. Kushtetuta nuk parashtron asnjë kriter me të cilin mund të bëhet kjo. Macron mund të emërojë një teknokrat ose politikan, dhe një që do të komandonte një shumicë parlamentare, ose jo.
Klan News