Ikona e kinematografisë dhe legjenda e artit shqiptar, Margarita Xhepa është sonte e ftuar “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan. Është plot 90 vjeçe dhe thinjat i tregojnë fisnikërinë, rrudhat tregojnë se pas tyre ka një histori jetësore me shumë ngjyra e rrëfime.
Një prej ngjarjeve që ka shenjuar jetën e aktores ishte humbja e nënës kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. Nëna e Margarita Xhepës u sëmur nga tuberkulozi dhe ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare duke lënë pas 4 fëmijë. Në rrëfimin e saj, aktorja nuk zhytet te dhimbja, por te kujtimet e nënës dhe mësimet që arriti të merrte prej saj në mënyrë krejt të natyrshme duke i ruajtur si diçka të çmuar.
Margarita Xhepa: Uroj që të gjithë fëmijët o Zot të rriten me nënë e baba se babai është shtylla e shtëpisë, është autoriteti, është rëndësia por nëna është kryesorja se atë që bën nëna nuk e bën kush, harron veten për fëmijët, për të tjerët. Më la shpejt dhe të jesh pa nënë, jetim ishte shumë e dhimbshme. Por ama modeli i nënës time se isha 9 vjeçe, mua më mbeti në mendje, në shpirt, në zemër dhe e kam patur si një pasuri sepse ishte një nënë model nga çdo pikëpamje, të punës, të mendimit, të pastërtisë, të rregullit. Kur u bëra 5-6 vjeçe si ju, kur shkoja në shtëpitë e të tjerëve, pastaj vija e shtëpia ime dhe krahasoja; më dukej shtëpia ime më e bukur, pse, se nëna qëndiste, ishte rrobaqepëse dhe të gjitha në shtëpi i kishte të qëndisura, jo vetëm mbulesën e tavolinës, jo vetëm jastëkë, jo vetëm kortikat, por çdo gjë, edhe atë që fshinte lugët e qëndiste. M’u duk shtëpia jonë shumë e bukur me ato qëndisjet, me perdet e qëndisura me lule, të rëna si zambakë. Ishte ai model i nënës time që e donte punën, që donte njerëzit, që ishte e dashur, e thjeshtë, komunikonte me gjithë lagjen, ato marrëdhëniet njerëzore, respekt njerëzor ishte kaq i bukur. Ajo nuk m’i diktoi, as m’i tha njeri por unë duke u rritur i mora dhe i bëra të miat dhe ato më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës time dhe faleminderit o nëna ime, sa e mirë ishe! Të gjitha nënat janë të mira, por mua më duket nëna ime më e mira.
Xhepa kujton edhe shtëpinë në Lushnje e cila ishte e vetmja ndërtesë e bardhë që dallonte nga të tjerat.
Margarita Xhepa: Vinte nga Berati dhe në Berat e kanë rregullin dhe pastërtinë të madhe. Ajo, kur erdhi nuse, pas 2-3 ditësh filloi, doli në oborr dhe leu me gëlqere gjithë parvazet e shkallëve, u zbardhuan, pastaj saksitë, u zbardhuan edhe saksitë, pastaj trupat e pemëve dhe rruga u bë e bardhë sikur e bardhë ishte edhe në shtëpi, por ashtu ishte edhe në shtëpi. Prandaj më ka mbetur model sepse me të vërtetë siç ishte e bardhë, ashtu e bëri të bardhë edhe shtëpinë e vet dhe ne na rriti me atë edukatë, ta duam punën dhe e ndieja që ato komshiet e donin dhe respektonin shumë./tvklan.al