Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka marrë pjesë një vajzë 26-vjeçare e cila ka rrëfyer historinë e saj të dhimbshme. Ajo ka rrëfyer se është dashuruar me ish-bashkëjetuesin e saj në moshën 16-vjeçare.
Njohja ishte nëpërmjet telefonit dhe djali ishte me mik me vëllain e saj. Ata ishin njohur në burg . Kur ai doli nga burgu e rrëmbeu sepse vajza nuk i tregoi familjes pasi djali nuk donte që ata të dinin historinë e tij.
Ai kishte rënë në burg për plagosje me paramendim. Filluan të jetonin në shtëpinë e tij pasi prindërit e tij ikën në Greqi.
Që në muajt e parë të bashkëjetesës ai filloi ta dhunonte,vajza asokohe thotë se nuk tregonte dot pasi kishte ikur nga shtëpia pa dëshirën e prindërve. Nga bashkëjetesa erdhi në jetë një vajzë. Bashkëjetuesi filloi të dhunonte edhe fëmijën, në kushte të tilla ajo e denoncoi.
Mirela Milori: Si je njohur me të?
26-vjeçarja: Unë jam njohur përmes vëllait. Kam qenë shumë e re, 15 vjeç e gjysmë. Ai ishte në burg në atë kohë dhe vëllai im ishte në burg. Ngaqë unë e shihja vëllain që ishte i pafajshëm, mendoja që edhe ai ishte i pafajshëm. Fillova të flisja me të edhe pse ishte në burg. Ai merrte familjen time në telefon dhe pyeste nëse ka dalë vëllai apo nuk ka dalë dhe një ditë u përgjigja unë.
Ai e pa që unë isha e vogël dhe kushedi se çfarë mendoi me veten dhe kështu filloi çdo gjë. Komunikuam disa muaj, pastaj doli nga burgu dhe më tha që nuk duhet t’i tregoja familjes. Erdhi në shtëpinë tonë si shoku i vëllait dhe erdhi vetëm për të më parë mua, si isha unë dhe pas dy ditësh erdhi dhe më rrëmbeu.
Mirela Milori: Ty si t’u duk kur e pe, më thuaj të vërtetën.
26-vjeçarja: Po unë fëmijë, ku dija unë se çfarë është një burrë, një mashkull, isha e padalë. Kur ika në shtëpinë e tij, ai mori në telefon babin dhe i tha që e kam marrë unë.
Mirela Milori: Si reaguan prindërit e tu?
26-vjeçarja: Normalisht që shumë keq sepse ishte shumë pabesi për ta. T’ja marrësh motrën shokut, normale që është e rëndë. Për disa muaj nuk fola me familjen sepse nuk e pranonin dot faktin që unë ika dhe nuk i tregova. Hyri daja në mes që na bashkoi. Në fillim jetoja me të dhe me prindërit, pastaj ata ikën jashtë, në Greqi dhe filluam të jetonim vetëm. Ai ishte 9 vite më i madh se unë.
Mirela Milori: Si ishte jetesa me të?
26-vjeçarja: Ai ishte një tip që çfarë i shihte syri ia bënte dora, por unë nuk e dija që ai pinte, nuk e dija që ka qenë i martuar më përpara, i kishte ikur gruaja, nuk dija shumë gjëra për të. Pastaj njerëzit e tij, komshinjtë më thoshin ku të ka sjellë Zoti ty? Filloi t’i ktheheshe alkoolit, drogës, më linte vetëm gjithë kohës, i sillte shokët e vetë në shtëpi. Për shumë pak kohë doli komplet nga rruga.
Mirela Milori: Vjen në jetë fëmija i parë, pas sa kohësh?
26-vjeçarja: Mbas dy vitesh, vajza tani është 8 vjeç dhe djali 5.
Mirela Milori: Kur filloi dhuna ndaj teje?
26-vjeçarja: Dhuna filloi shumë shpejt. Brenda shumë pak ditëve pasi më rrëmbeu ai filloi duke pirë, duke më rrahur, vinte në dy të natës, bënte skena nga më të ndryshmet.
Mirela Milori: Pse nuk ike, pse nuk i the atyre të shtëpisë që ky njeri është i dhunshëm?
26-vjeçarja: Sepse sipas mentalitetit tonë, nuk mund të kthehesh më aty, duhet ta pranosh. Kur erdhi vajza unë mendoja ta abortoja sepse ai më rrihte dhe thashë le të bëjë çfarë të dojë me mua, por jo me fëmijën. Piu kokrra kundër alkoolit dhe e ndali alkoolin. E mori këtë vendim që unë të mos ta abortoja. Ishim mirë, pastaj kur linda vajzën, pas dy javëve ai filloi të pinte prap dhe filloi dhunën ndaj saj 2 javëshe, shumë e vogël.
Kur qante ajo, ai e hidhte në divan, e gjuante, e digjte me cigare dhe unë normalisht bëra denoncim dhe ai u dënua. Nëse unë do i flisja, ai do i gjuante më keq. I thashë mi bëj mua, mos ia bëj asaj. Ai kishte xhelozinë pse e dua unë më shumë vajzën sesa atë. E pastaj më digjte e mua me cigare. Më vinte cigare në gojë dhe mua dhe vajzës. Ka qenë traumë. Kam shkuar në polici kur vajza ishte vetëm 5 muajshe sepse kisha shumë frikë. Ai më thoshte nëse i tregon kujt, unë do i vras. /tvklan.al