Një deklaratë e Ministres për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, shkaktoi një reagim të fortë në opinionin publik, pasi ajo tha se e kishte të detyrueshme të lëvizte me makinë për shkak të funksionit të saj. Ndërkohë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në “Tv Klan’’, ku ai e pyeti nëse ministrat e kanë të deturyeshme diçka të tillë. Brahimaj tha se ministrat mund të lëvizin në këmbë dhe kanë shkurtuar me 50% shpenzimet për karburantin.

“Ne rishikuam buxhetin dhe shpenzimet kapitale i rishikuam me 7 miliardë lekë, me rishikimin e parë që bëmë. Rishikuam dhe shpenzimet operative, pra kemi ulur konsumin e karburanteve. Për atë pjesë të administratës që e përdor makinën, por që është në zyrë e kemi përgjysmuar, ndërsa për atë pjesë të administratës që e përdor për qëllim të punës në terren, e kemi reduktuar me 10%”, u shpreh Ibrahimaj.

Blendi Fevziu: Ministrat e kanë me detyrim që të lëvizin me makinë? Dëgjova një ministre që thoshte e kam të detyrueshme të lëviz me makinë…

Delina Ibrahimaj: Ministrat nuk e kanë me detryrim që të lëvizin me makinë dhe kemi shkurtuar me 50%, shpenzimet e karburanteve për ministrat./tvklan.al