Kushdo që përdor rrjetet sociale mund të shohë një pafundësi reklamash për produkte të ndryshme. Por së fundmi kemi parë edhe lajme apo shpërndarje materialesh për disa artikuj që reklamohen se janë përdorur nga personazhet publike dhe kanë pasur rezultat.
Gazetarja Esmeralda Topi shpjegon në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se e gjitha është një skemë mashtrimi. Kompani të ndryshme farmaceutike përdorin rrjetet sociale, sidomos Facebook që preferohet nga moshat e treta për të reklamuar gjithfarë suplementesh e barnash, kombinuar me imazhin e një personazhi publik.
Topi tregon se pati një situatë të ngjashme me nënën e saj e cila ngulmonte për një postim që kishte parë, në të cilin dukej sikur gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” kishte intervistuar një mjek. Në fund, rezultoi që gjithçka ishte informacion i rremë dhe i sajuar.
Esmeralda Topi: Ka një fushatë agresive në rrjetet sociale, kryesisht Facebook sepse moshat e treta përdorin më shumë Facebook-un dhe ka një fushatë agresive nga kompani të ndryshme, farmaceutike që shesin, tregtojnë ilaçe të ndryshme, nga më të ndryshmet që ka target grup moshat e treta. Dhe çfarë ndodh? Janë skema mashtrimi, pra përdorin imazhin e moderatorit Blendi Fevziu apo Blendi Salaj, pra njerëz publikë në Shqipëri të cilët i sajojnë sikur intervistojnë dikë që ka përfituar nga ky suplementi dhe në fund gjithë ideja është që këta njerëz të blejnë këtë suplement dhe vendosin tituj bombastikë.
Kam pasur një rast me time më e cila këmbëngulte dhe më thoshte që “nuk është e vërtetë sepse unë e lexova, e kishte marrë Blendi Fevziu në intervistë atë mjekun dhe ai mjeku ishte i huaj dhe thoshte që kjo për reumatizmën”… ndërkohë që u futa dhe e verifikova, fotografia e atij mjekut ishte e rreme. Ishte dikush në botë në jetën e tij të përditshme, profesor në një universitet në Amerikë që e kishin përdorur dhe thoshin është mjeku filan, emri i mjekut nuk ekzistonte fare në asnjë vend dhe kuptohet pastaj edhe moderatori që citohej për intervistën nuk ishte dhe nuk e kishte marrë kurrë atë intervistë. Por dua të them që kjo është një luftë për të bindur moshat e treta që të mos bien pre e këtij lloj marketingu. Janë skema të mirëfillta mashtrimi./tvklan.al