Vendimet e gabuara Igli ka vendosur t’i lërë pas, në qelinë e burgut ku vuajti dënimin për veprën e tij. Kohën brenda saj ai e ka shfrytëzuar për të reflektuar e për t’u bërë më i mirë jo vetëm për veten,  por për njeriun më të dashur të jetës. Kjo është arsyeja pse ai ka ftuar gjyshen, Majën, në “Ka Një Mesazh Për  Ty” vetëm disa ditë pas daljes nga qelia. Ky është takimi i tyre i parë pas 2 vitesh dhe ndodh në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Maja u trondit së tepërmi kur pa nipin e saj dhe asnjëri prej tyre nuk mund t’i përmbante emocionet e forta dhe lotët. Takimi s’është e vetmja arsye për këtë takim pasi Igli i shpreh pendesë dhe i kërkon falje të shtrenjtës së tij.

Igli: O nëna, unë të kam sjellë sot këtu për të të kërkuar falje.

Maja: Të keqen nëna, nëna t’i ka falur të gjitha gabimet.

Igli: Për të treguar se ti je arsyeja se unë kam reflektuar atje brenda dhe kam ndryshuar. Të jap fjalën që do të të bëj krenare dhe që nga sot e mbrapa, ty do të të qeshë buza gjithmonë. Nuk do të të lë më të vuash.

Maja: Të keqen nëna ty! Nënës s’i është tharë njëherë loti!

Igli: Dije se këto nuk janë fjalë boshe dhe të jap fjalën se ti je arsyeja pse unë po jetoj.

Maja: Të keqen unë ty, zemra ime!

Igli: Të kërkoj falje.

Maja: T’i ka falur nëna të gjitha.

Igli: Për çdo gabim që kam bërë, për çdo shqetësim, për çdo plagë që të kam hapur në zemër. Të lutem, të lutem më fal.

Pas 2 vitesh, ndodh më në fund edhe përqafimi i  shumëpritur dhe i përmallshëm mes gjyshes e nipit./tvklan.al