Epoka e re e turizmit në vend po nxjerr në pah nevojën për harmonizimin e turizmit edhe me sektorë të tjerë të ekonomisë, siç është bujqësia.
Eksperti Ilir Pilku thotë se tashmë nxitja e prodhimit vendas duhet të jetë prioritet.
“Me çfarë produktesh do furnizohet ky sektor… Nëse kemi disa avantazhe konkurruese në turizëm ne kemi avantazhe edhe në produktet e kulinarisë. Qeveria duhet të mendojë më mirë për t’i dhënë incentivë më shumë prodhimit të produkteve bujqësore vendase. Pra mos të kemi perime importi, fruta importi”, tha ai.
Promovimi i produkteve vendase po bëhet tendencë edhe në rrjete sociale.
Fermeri Artur Xheka ka punësuar një person të dedikuar që të prodhojë materiale me në foksus prodhimet e tij bujqësore.
“Bujqësia ndoshta duket si primitive, po është art. Duke mos pasur mundësinë tu shkojmë gjithsecilit dhe t’i flasim për produktet tona, kemi zgjedhur rrjetet sociale, këtë formë për t’i reklamuar”, tha ai.
Klea Mani, që po promovon produktet bujqësore të kësaj ferme, ka pedagogjinë në grafik dizajn si profesion të parë, por prej muajsh atë e sheh nga salla e leksioneve në sera.
“Është pak e pazakontë të shikosh një brez të ri afër natyrës. Kisha pak frikë nëse do paragjykohesha”, tha ajo.
Të reklamuarit e prodhimeve bujqësore nuk i sjell vetëm të ardhura.
“Në ditët e mia më stresuese unë zgjedh të jem pranë fermës, është shumë meditative, është si terapi”, shprehet ajo.
Kontributi i bujqësisë në tremujorin e katërt të vitit 2023 në krahasim me po të njëjtën periudhë të një viti më parë shënoi rënie me 0.72% në normën reale të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Shqipëria po e zgjeron ndërkohë gamën e produkteve bujqësore të certifikuara, duke i futur ato në tregje ndërkombëtare të paarritshme deri pak kohë më parë.
Tv Klan