Riviera Maya është tërheqja turistike më e madhe e gjithë Meksikës. Në udhëtimin në Yucatán, ndalesën e parë Check In e bëri në një qytezë të njohur nga të gjithë, që 10 vitet e fundit është bërë trendi i ekoturizmit, me kasollet luksoze ku çmimet prekin edhe 2 mijë euro natën dhe ku kalojnë pushimet shumë personazhe të famshëm të botës.

Qyteti i lashtë Maya i Tulumit qëndron i vendosur mbi një shkëmb mbi detin e Karaibeve. Pozicioni i tij e bën më të veçantë nga të gjithë sitet arkeologjik Maya të Meksikës.

Emri origjinal Maya i Tulumut është Zama, që do të thotë Agim, pasi qyteti ndodhet pikërisht në drejtim të lindjes së diellit. Emrin Tulum që në gjuhën Maya do të thotë mur, qyteti e mori në një kohë të mëvonshme nga eksploruesit, që mbërritën atje në shekullin e 20-të.

Tulumi u ndërtua për të qenë një kështjellë detare e padepërtueshme, me shkëmbinj të pjerrtë, me pamje nga oqeani në lindje dhe një mur i madh gëlqeror, që mbyllte pjesën tjetër të qytetit në 3 anët. Qyteti ishte një qendër e rëndësishme tregtare dhe fetare, midis shekujve 11 dhe 16./tvklan.al