E apasionuar pas udhëtimeve, Albana Nanaj spikat për numrin e vendeve që ka vizituar në mbarë globin. E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan kësaj here ajo rrëfen eksperiencën e udhëtimeve të saj rreth 7 Mrekullive të Botës moderne. Të fundit që ajo ka vizituar është Muri i madh Kinez.

“Muri Kinez jo rastësisht mendoj se është dhe më i madhi në botë dhe vepra më e madhe e realizuar nga njeriu. Janë 8850 kilometra mur, në një hapësirë shumë të madhe në veriun e Kinës, Sigurisht është i vizitueshëm në zona në ndryshme. Nga Pekini është shumë e kollajshme për t’u arritur gati 50 minuta është ndalesa e parë e murit, por ka dhe disa ndalesa të tjera.”

Për Albana Nanajn vendi i cili i ka falur më shumë emocione ka qenë Machu Picchu.

“Machu Picchu, ti ngjitesh dhe nuk e ke parë sepse është si në një gropë. Jo rastësisht spanjollët nuk e kishin zbuluar sepse është i mbuluar me gjelbërim dhe ishte mes Andeve pak si në gropë. Kur ti arrin aty lart dhe të shfaqet komplet ashtu siç është i mrekullueshëm thua prit tani dua të ndaloj, të rri dhe ta shikoj. Madje shumë prej njerëzve këshillonin që ti të rrije gjysmë ore ose një ore, të mbështeteshe në disa mure dhe ta vështroje atë bukuri të jashtëzakonshme. Inkasit kanë bërë vërtet një mrekulli.”

Për të folur rreth Mrekullive të Botës nuk do të mjaftonin as fjalët më të bukura dhe as përshkrimet e detajuara, por Albana Nanaj për Krishtin në Rio de Janeiro ka vetëm një fjalë “jashtëzakonisht i bukur”.

“Krishti i Rio de Janeiro është jashtëzakonisht i bukur. Është gati 78 metra në mos gaboj. Ka njerëz sigurisht. Pozicioni ku ndodhet Krishti, është në majë të Rios dhe ti sheh të gjitha plazhet, gjiret e gjithçka. Është në majë të Corcovado, është një kodër që mbështjell gjithë Rio de Janeiro dhe pamja është fantastike. Jo rastësisht edhe për Vitin e Ri po të shohësh dalin pamjet nga Rio de Janeiro.”

Një pjesë të vendeve që janë klasifikuar si Mrekulli e Botës ka qene dhe Petra në Jordani.

“Petra në Jordani është e mrekullueshme. Ne e kemi sjellë dhe në ‘Check-in’. Në fillim Petrën e vogël pastaj Petrën e madhe. Por, guida jonë u tregua vërtet mjaft profesioniste sepse hyrja kryesore për të shkuar në Petra është direkt tek thesari, godina qendrore që është shpallur mrekullia e botës, kurse ai na bëri një xhiro më të lartë që kjo të ishte surpriza. Pasi ne kishin vizituar gati gjithë qytetin e vjetër të Petrës për të arritur në pikën kulminante ku jemi këtu.”

Albana Nanaj thotë se një pjesë të vendeve ku ka udhëtuar u është rikthyer për t’i vizituar kështu ka ndodhur dhe me Chichen Itza në Meksinë.

“Chichen Itza, Meksikë, aty ku është dhe piramida Maja. Herën e parë që e kam vizituar kam qenë me dy fëmijët e vegjël. Kjo është nga piramidat më të mëdha Maja.”

Ai njihet jo vetëm për bukurinë madhështore që ka, por dhe për historinë e veçantë të dashurisë për të cilën është ndërtuar dhe bëhet fjalë pikërisht për Taj Mahal-in në Indi. Duke folur për eksperinecën unike, Albana Nanaj ndan me publikun dhe disa këshilla të vogla në rast se ndokush dëshiron ta vizitojë.

“Një tempull dashurie dhe është një nga mrekullitë mogule të arkitekturës mogule turke e realizuar në Indi. Është jashtëzakonisht e bukur sepse është romanca që është e lidhur me këtë ndërtesë që është e jashtëzakonshme. Dhe ngjyra e bardhë e mermerit të jep një ndjesi pozitive. Është në Agra dhe është 3 orë larg Dehlit, kështu që edhe këtu shkohet me makinë. Dhe duhet të flesh patjetër një natë në qytetin e Agrës.”

Edhe pse i renditur i fundit Koloseu në Romë ka qenë i pari i cili është vizituar nga Albana Nanaj.

“Kemi fatin që e kemi kaq afër. E bukura e Koloseut është se hiq Krishtin se është në majë të malit, Koloseu është qendra e Romës, çdo gjë vërtitet rreth tij. Është vërtet ashtu siç ka emrin një vepër kolosale e realizuar në vitet ‘70-‘80 të erë sonë dhe është vërtet diçka madhështore.”/tvklan.al