Socialdemokratët kanë mbyllur pasdite fushatën e tyre elektorale me një miting në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ku ka marrë pjesë edhe Edi Rama i cili kandidon në këto zgjedhje edhe nën siglën e socialdemokratëve.

Rama i ka drejtuar edhe një herë tjetër thirrjen të gjithë votuesve të kryeqytetit që në 12 tetor të bëjnë zgjedhjen e duhur duke votuar për të dhe projektet e mëdha për Tiranën evropiane.

Edi Rama: Nuk ka asnjë arsye për të pasur ndarësi partiake, nuk ka asnjë arsye për të pasur paragjykime dhe për t’ju larguar kutisë së votimit në 12 Tetor nga askush përderisa ne jemi në gjendje tu ofrojmë të gjithëve një projekt fitues. Ne jemi në gjendje tu ofrojmë të gjithëve një projekt fitues, ne jemi në gjendje tu ofrojmë të gjithëve një projekt nëpërmjet të cilit në do të mund të ndërtojmë edhe më shumë rrugë për të gjithë qofshin socialist apo demokrat. Ne jemi në gjendje të ofrojmë më shumë hapësira të gjelbra për të gjithë pavarësisht se cilës parti i përkasin.

Më pas Rama ka zhvilluar një takim me banorët e bregut të lumit të cilëve u ka premtuar se shumë shpejtë dot bëhen me një shkollë të re.

Edi Rama: Ne duhet të lëmë mënjanë derr-vërret dhe tifozlliqet partiake, se nuk i duhen dreqit dhe jo më neve që kemi këto probleme për të zgjidhur që kemi rrugë të tjera për të shtruar, që kemi çerdhe, kopshte, shkolla për të ndërtuar, që kemi ndriçim publik për të instaluar edhe në këtë zonë , që kemi shërbime sociale për të vazhduar të rrisim dhe të kultivojmë, pra që kemi një sfidë kaq të madhe sa ç’është ndërtimi i një qyteti evropian./tvklan.al