Dialogu me Shqipërinë i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, është zhvendosur në Ulzë ku është pritur nga kreu demokrat i komunës.
Kryetari socialist, Rama, tha se qytetarët duhet të votojnë vlerat që përfaqësojnë individin dhe jo flamujt e partive.
Edi Rama: “T’i shembim muret ndarës jo për t’u bërë të gjithë socialistë apo demokratë, por për të qenë sy hapur, për të mos votuar sy mbyllur. Ajo që është më e rëndësishmja është që njerëzit të votojnë për njeriun. Njerëzit votojnë për programin”.
Rama ka vazhduar bashkëbisedimin dhe në komunat Komsi e Kutari duke përçuar mesazhin e një bashkimi të ri të të gjithë shqiptarëve për të bërë të mundur ndryshimin e pritur në 17 vite.
Edi Rama: “Së bashku ne mund të bëjmë të mundur një bashkim të ri, një bashkim të madh njerëzish që duan të jetojnë me dinjitet dhe që pavarësisht nëse janë socialistë e demokratë kanë të përbashkët idealin e një Shqipërie të re”.
Bashkëbisedimi i kryetarit socialist me banorë të këtyre zonave ka vazhduar dhe me takime spontane duke ndarë me ta shqetësimin mbi situatën e rëndë ku ndodhet fshati sot./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi