Partia Socialiste nuk do te kthehet ne sallën e parlamentit edhe pas kërkesave te fundit te komisionerit për zgjerim të BE, eurodeputetes Doris Pak si dhe zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Stjuart Xhons.

Nga Vlora kryetari i selisë roze, Edi Rama, ku ka zhvilluar protestën e radhës për zgjedhjet e 28 Qershorit  ka deklaruar edhe një here se opozita nuk do te jete pjese e parlamentit pa u hapur kutitë.

Ai ka theksuar se bojkoti i opozitës nuk dëmton integrimin evropian te vendit ndonëse ndërkombëtaret e shikojnë mungesën e opozitës ne parlament si një ngërç për integrimin e Shqipërisë ne strukturat evropiane.

Edi Rama: “Bojkoti i parlamentit nuk është zgjedhja jonë, por e vetmja rrugë që kemi sot për të mbrojtur demokracinë nga një deformim dramatik, me bazë deformimin zgjedhor. Integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, por e pengojnë pikërisht arsyet që na shtyjnë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme për të shtruar për zgjidhje një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara. Ne nuk hyjmë në parlament. Ne nuk do të hyjmë në parlament për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 Qershorit”.

Ashtu si dhe ne protestat e mëparshme numri i manifestuesve ka qene i paket edhe pse qyteti bregdetar nga Partia Socialiste konsiderohet si bastion i saj./tvklan.al