Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Edi Rama ka paraqitur sot platformën e tij kongresuale, përpara socialistëve të Librazhdit. Sipas kandidatit Rama, Partia Socialiste nuk duhet të jetë një parti e matrapazëve, por një parti e të gjithë atyre socialistëve të ndershëm që e fitojnë bukën e gojës me djersë.

Edi Rama:- “Partia Socialiste pavarësisht transformimeve shoqërore dhe zhvillimeve jo gjithmonë të mirëpritshme të vendit, nuk mund të jetë një shoqatë tregtarësh dhe as një organizatë për klientët e pushtetit. PS është dhe duhet të jetë në radhë të parë, partia e të gjithë atyre që ndihen në nevojë dhe nuk është partia e atyre, që duke përfituar nga mungesa e konkurrencës së ndershme, po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm”.

Rama ka ngritur shqetësimin dhe për numrin e paktë të grave në përfaqësimin e PS.

Edi Rama:- “Unë mendoj, që sot gruaja shqiptare është në gjendje t’i ofrojë shoqërisë, po në mënyrë të posaçme PS, një fushëpamje të re dhe plotësisht të munguar. Duke balancuar edhe atë mungesë, shpeshherë të frikshme përgjegjshmërie të burrave”.

Nuk duhet të luftojmë vetëm për poste, të shohim kush është kryeministër, apo kush është kryetar partie, por të kthejmë sytë vazhdojë Rama dhe të gjejmë zgjidhje për varfërinë që ka pushtuar shqiptarët.

Edi Rama:- “Problemi kryesor është se si PS, do të jetë partia që mbron sot të pambrojturit, se si PS do të jetë partia që garanton ushqimin e popullit. Ndërkohë që këtu në Shqipëri, ushqimi i popullit është më i shtrenjtë se në Europë, ndërkohë që këtu në Shqipëri një telefonatë kushton më shumë se në Europë dhe ndërkohë që një situatë monopoliste ka krijuar një gjendje, ku ne merremi me pllakat e trotuareve dhe nuk shohim që shati është në degradim të plotë”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka