Gjatë fjalës së tij para emigrantëve shqiptarë në Athinë, Kryeministri Edi Rama u ndal tek marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Rama u shpreh se Shqipëria dhe Greqia duhet të ishin një shembull për të gjithë fqinjët e tjerë, por kjo nuk është arritur pasi në tryezën e marrëdhënive tona ndërshtetërore ri akoma në fuqi ligji i luftës së Greqisë me Shqipërinë.

Edi Rama: E për ta mbyllur me këtë pjesë, se kemi shumë kohë pa u parë dhe fjalimi im nuk është i shkurtër si zakonisht, Ati ynë themelues vazhdon: “Megjithëse zhvillimet politike morën një drejtim tjetër nga ai i ndjenjave tona, unë jam i bindur që më shpejt sesa vonë, dashuria e përbashkët e shqiptarëve dhe e grekëve për lirinë, do t’i udhëheqë ata drejt mirëkuptimit dhe krijimit të një kundërpeshe në gadishullin ballkanik për të mirën e të tërëve’’. Bravo, po merreni me mend, plaku i urtë i pavarësisë i ka botuar këto kujtime në vitin 1920 kur marrëdhëniet mes dy shteteve tona ishin bërë shumë të vështira dhe fatkeqësisht vizioni gjenial i Ismail Qemalit atëherë ishte shumë tutje, ishte përtej horizontit të kohërave që pasuan takimin e tij me mbretin e Greqisë.

Lufta e Dytë Botërore, mbyllja hermetike e Shqipërisë në rrethin e nëntë të ferrit komunist, e ndau Europën në dysh dhe e shtyu deri në fundin e shekullit XX mundësinë që të rikthehej ky vizion i atit tonë themelues në tryezën e marrëdhënieve të vendosura tërësisht mes dy shteteve  pas shembjes së komunizmit. Po iku edhe shekulli XX, po vjen mesi i dekadës së tretë të XXI, dhe në vend se Shqipëria dhe Greqia të ishin sot një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë që ta ndiqnin për paqen që prodhon mirëqënie, siguri, ardhmëri në tryezën e marrëdhënieve tona ndërshtetërore, rri akoma në fuqi ligji i luftës së Greqisë me Shqipërinë. Ai ligj i 10 Nëntorit 1940 përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte dhe po atë ditë me dekret mbretëror ligjërohet që gjendja e luftës më Italinë dhe me Shqipërinë. Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e ligjit të luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?

Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur sa dhe si kemi mundur, që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, ashtu sikundër jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë me dialog, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes dy shteteve tona, sepse unë kam bindjen e palëkundur, që nëse ka vullnet të mirë dhe vendosmëri reciproke, të gjitha mosmarrëveshjet e trashëguara mund të zgjidhen pa pritur që të kalojnë dhe 84 vite të tjera.

/tvklan.al