Lajme Arkiva 2003
Edi Rama do të vazhdojë të tentojë të marrë pjesë në konferencat e Partisë Socialiste në rrethe.
Edi Rama: Unë do të ndjek çdo rrugë dhe formë përmes së cilës do të kem mundësi të shpreh hapur të gjitha shqetësimet e mia dhe të bëj përpara anëtarësisë dhe publikut të gjitha propozimet e mia për të dalë nga një gjendje ku natyrisht nuk jemi futur për shkaqet e sipërfaqshme që thuhen e trajtohen, por për shkak të mungesat të bilancit në dy vjet e gjysmë dhe për shkak të një ritmi reformash që për mua është i papranueshëm.
Ndërkohë vendimin e djeshëm të komisionit qendror të garancive statusore sipas të cilit kandidati për kryetar partie merr pjesë në konferencë vetëm nëse merr ftesë nga anëtarësia e kësaj partie në bazë Rama e komentoi në këtë mënyrë:
Edi Rama: Jam i keqardhur për cilësinë e papëlqyeshme të vendimit i cili është i një tipi as të kap as të lëshon dhe nga ana tjetër kam shumë frikë se në rrugën ku po ecet kongresi i shumëpritur do të dalë me një produkt të paqëndrueshëm dhe nuk do i garantojë dot mazhorancës stabilitetin e domosdoshëm për të çuar deri në fund këtë mandat si dhe atë energji për të qeverisur që do të lehtësonte barrën e madhe që po mbajmë përsipër nga mbipesha e vonesës dhe e dështimeve në reforma.
Këtë deklaratë kryebashkiaku Rama e bëri gjatë një konference për shtyp e cila kishte në thelb të saj domosdoshmërinë e rregullimit të kuadrit ligjor për transportin urban në kryeqytet./tvklan.al