Kjo e Martë, duket shumë aktive sa i përket merkatos, nga klubet shqiptare. Pas Fernando Medeiros, Egnatia ka zyrtarizuar një tjetër afrim.

Bëhet fjalë për portierin Mario Dajsinani. Ky i fundit vjen nga Laçi, pjesë e të cilëve ishte nga viti 2021, ndërsa me Egnatian ka firmosur deri në vitin 2028.

“Mario Dajsinani është pjesë e kampionëve. KF Egnatia ka arritur marrëveshjen me KF Laçi për transferimin e portierit në radhët e kampionëve. Presidenti z.Demrozi dhe futbollisti kanë firmosur kontratën deri në Qershor 2028 dhe më pas futbollisti i është bashkuar ekipit në stërvitje”, thuhet në njoftimin e Egnatias.

Lëvizje të rëndësishme ka bërë edhe Dinamo, që ka njoftuar firmën me Fjoart Jonuzin. Mesfushori u largua nga Tirana pak ditë më parë, por do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit shqiptar.

Fjoart Jonuzi është zyrtarisht lojtar i FC Dinamo City. Mesfushori që deri në gjysmën e parë të sezonit ishte pjesë e KF Tiranës, ka firmosur ditën e sotme dhe ka dalë menjëherë në stërvitje me ekipin, nën urdhrat e trajnerit Daja. Më herët, 28-vjeçari ka qenë pjesë e klubeve të Kukësit, Laçit dhe Vllaznisë”, shkruan klubi i Dinamos.

/tvklan.al