Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë nën shqyrtim dhe miratuar Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Në një konferencë për shtyp, guvernatori Sejko është shprehur se sipas informacionit të ri të marrë në analizë, tregohet se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë dy tremujorëve të fundit. Sejko ka shtuar se ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim, ndërkohë që inflacioni ka shënuar rënie të shpejtë.

Sipas Sejkos, përditësimi i parashikimeve sugjeron se vëllimi i aktivitetit ekonomik do të rritet më tej, ndërsa inflacioni do të luhatet pranë objektivit tonë prej 3%.

Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ditën e sotme të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%, normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 2.25%, si dhe normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25%.


FJALA E GUVERNATORIT GENT SEJKO:

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 20 mars 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë tregon se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë dy tremujorëve të fundit, ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim, ndërkohë që inflacioni ka shënuar rënie të shpejtë, duke tejkaluar edhe pritjet tona.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një kontribut pozitiv në përballimin e goditjeve, nëpërmjet zbutjes së presioneve të brendshme inflacioniste, reduktimit të primeve të rrezikut, si dhe nxitjes së funksionimit normal të tregjeve të parasë.

Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se vëllimi i aktivitetit ekonomik do të rritet më tej, ndërsa inflacioni do të luhatet pranë objektivit tonë prej 3%.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

***

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të shpejtë gjatë dy muajve të parë të vitit. Më konkretisht, inflacioni ra nga niveli mesatar prej 3.9% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, në nivelin mesatar prej 3% në muajt janar – shkurt të vitit aktual. Kjo rënie pasqyroi reduktimin e shpejtë të inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë u shfaq më i qëndrueshëm.

Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u ndikua nga reduktimi i inflacionit të importuar. Në veçanti, rënia e shpejtë e inflacionit të ushqimeve pasqyroi një dukuri rajonale dhe evropiane, të diktuar nga rritja e ofertës për këto produkte. Bazuar në informacionin aktual, efektet në inflacion të kësaj goditjeje do të vijojnë të jenë prezente edhe për disa muaj në vazhdim.

Nga ana tjetër, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme. Inflacioni bazë neto – tregues, i cili shmang ndikimin e lëvizjeve të çmimeve më të luhatshme të shportës dhe, si i tillë, është një matës më i mirë i presioneve afatmesme inflacioniste, – rezultoi rreth nivelit mesatar prej 3.3%, duke ruajtur një normë të njëjtë me atë të tremujorit të kaluar. Kjo ecuri sugjeron se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten relativisht të larta, si pasojë e kërkesës solide për mallra e shërbime dhe e presioneve që vijnë nga tregu i punës.

Analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet. Rritja ekonomike është ushqyer nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, nga rritja e eksportit të shërbimeve, si dhe nga përshpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve publike. Zgjerimi i tyre është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme të familjeve, nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve, nga ambienti ende stimulues financiar, si dhe nga pritjet pozitive për të ardhmen.

Kërkesa solide për mallra e shërbime e mban ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në rënien e papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në ekonomi u rrit me 0.6% në tremujorin e katërt të vitit 2024, pagat në sektorin privat u rritën me 11.6%, ndërsa norma e papunësisë qëndroi pranë minimumeve historike, në nivelin 10.7%. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit, por – nga ana tjetër – ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin.

Tregjet financiare paraqiten të qeta, të karakterizuara nga likuiditet i bollshëm, prime të ulëta rreziku, qëndrueshmëri e normave të interesit dhe e kursit të këmbimit, si dhe rritje e mëtejshme e kredisë. Në këtë ecuri, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë. Ky normalizim ka sjellë një rritje të përgjithshme të normave të interesit, duke krijuar premisa për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës për fonde në ekonomi. Nga ana tjetër, kujdesi që kemi treguar në ritmin e këtij normalizimi, i ka lënë kushtet e përgjithshme financiare në vend në pozita ende stimuluese.

Kjo ecuri është pasqyruar në zgjerimin e mëtejshëm të kredisë për sektorin privat. Kredia për sektorin privat u zgjerua me 10.6% në muajin janar, duke vijuar trendin pozitiv të muajve të fundit. Kjo kredi ka plotësuar nevojat për fonde të bizneseve dhe familjeve, duke shfaqur një orientim gjithnjë e më të lartë drejt monedhës kombëtare, si dhe duke ruajtur një cilësi mjaft të mirë të portofolit të kredisë.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona për rritjen e mëtejshme të ekonomisë dhe sugjeron stabilizimin e inflacionit rreth objektivit tonë gjatë vitit 2024 e në vijim.

Rritja ekonomike do të vazhdojë të gjejë mbështetje në shëndetin financiar të sektorit privat, në dinamikat pozitive të tregut të punës, si dhe në një ambient të qëndrueshëm financiar. Ajo do të nxitet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve dhe e turizmit. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë disi më i ngadaltë gjatë vitit aktual, por ai pritet të përshpejtohet në periudhën në vijim, duke qëndruar në linjë me potencialin e ekonomisë.

Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të luhatet rreth objektivit gjatë periudhës në vijim. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, për stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun vendas, si dhe për normalizimin e inflacionit në ambientin e huaj. Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës sugjeron se balanca e rreziqeve mbi ecurinë e inflacionit është neutrale. Në veçanti, intensifikimi i mundshëm i tensioneve gjeopolitike mund të çojë në rritje të inflacionit, ndërsa rënia e mëtejshme e çmimeve të ushqimeve në tregjet e brendshme e të huaja mund të sjellë nivele më të ulëta inflacioni.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%;

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%; si dhe,

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë të orientuara drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.


/tvklan.al