Klinti Çollaku rivjen në “Kënga Magjike”, në skenën, e cila mund të quhet shtëpia e tij artistike. Pas suksesit me “Më s’më gjen”, në vitin 2017, “Si t’ja bojm’ na’”, në vitin 2022, kësaj here ai shfaqet si kantautor në këngën “Maskat”, një material muzikor, i cili flet se sa të vërteta janë shoqëritë dhe marrëdhëniet njerëzore që ne ndërtojmë.
Karriera e tij muzikore ka qenë përherë e ditur për audiencën dhe fansat e tij, por një anë të cilën Klinti e ka ruajtur me fanatizëm për të mos u ekspozuar, është ana e tij personale. Këngëtari ka ditur që ndër vite t’i evitoje pyetjet të cilat lidhen me dashurinë, apo marrëdhëniet e tij, por kjo deri më sot. Pentagrami i pyetjeve të tij, kishte të bënte pikërisht me ngacmime që lidhen me dashurinë.
Ai tregoi se në këtë moment të jetës, i eviton takimet flirtuese, ngacmimet në skenë dhe situata të cilat mund të ngjallin xhelozi. Klinti Çollaku pohoi se ndër vite vajzat kanë flirtuar me të në koncertet apo netët e tij me muzikë ‘Live’, por tashmë çdo situatë e tillë, është shmangur prej këngëtarit.
Ekskluzivisht në “Kënga Magjike”, Klinti Çollaku tregoi se është në një lidhje të lumtur dashurie duke thënë: Unë e kam gjetur gjysmën time, kështu që nuk flirtoj me njeri.
Më tej Klinti tregoi se me kalimin e viteve preferon që sekretet e tij t’ja besojë vetëm familjes dhe partneres së tij./tvklan.al