Celibashi dhe Kume: I ngjashëm me sistemin aktual, por me lista të hapura
Në debatin për ndryshimin ose jo të sistemit zgjedhor u përfshi këtë javë dhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë. Përmes një email-i që mësohet se iu ka mbërritur 4 perfaqësuesve të Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, Yuri Kim iu sugjeron palëve që nëse do të ndërhyjnë për të ndryshuar sistemin elektoral siç kërkon opozita parlamentare, të marrin në konsideratë sistemin që ka aktualisht Danimarka.
Po ku ndryshon sistemi proporcional rajonal që vendi ynë ka të sanksionuar në Kushtetutë që prej 2008-s nga sistemi danez?
“Sistem proporcional rajonal me listë korrektuese kombëtare”, tha Kume.
“Është pak më i ndershëm se sa ky sistem që kemi. Nëse do të përdoren edhe listat e hapura, kjo kënaq deri diku edhe interesat e atyre grupeve politike të cilat mendojnë se nëpërmjet listave të hapura bëhet më përfaqësues Kuvendi”, tha Celibashi.
“Zgjedhësi danez ftohet që në kutinë e votimit të votojë preferencën e tij për një kandidat. Kjo është hapja e listës”, tha Kume.
Ish-kryetari i KQZ Ilirian Celibashi mendon se ky sistem do të funksiononte më mirë nëse partit do të hynin të vetme në zgjedhje dhe jo me koalicione.
Të dy ekspertët mendojnë se është domosdoshmëri ndërhyrja në Kushtetutë.
“Ka nevojë që të ndryshojë Kushtetuta”, tha Celibashi.
Po a është përfaqësues ky sistem?
“Nuk është një sistem përfaqësues sepse nuk e lidh drejtpërsëdrejti zgjedhësin me përfaqësuesin e tij me deputetin”, tha Celibashi.
Celibashi komenton pikat më të nxehta që mban ende larg konsensusit për ligjin elektoral palët. Propozimi i socialisteve për depolitizim total të administrates zgjedhore për ish-ministrin e kësaj mazhorance nuk është i përshtatshëm për realitetin politik në Shqipëri.
“Kërkesa e opozitës për të patur përfaqësues të vet në nivelet e ulëta të administratës mendoj që është një kërkesë realiste dhe racionale në kushtet e Shqipërisë”, tha Celibashi.
Pas 1 jave me debate të ndërsjellta, një ditë më parë palët u angazhuan për të rifilluar punën për Reformën Zgjedhore, sjellje që u përshëndet dhe nga ambasadorja e SHBA.
Tv Klan