“Nëse nuk denoncohen, shkaktojnë trauma”
“Në fakt m’u duk një vendim i çuditshëm”.
Ky është reagimi i drejtueses së linjës së këshillimit për gra dhe vajza, Iris Luarasi kur mëson se një 60-vjeçar i akuzuar për ngacmim seksual nga një e mitur është lënë në arrest shtëpie.
“Nuk e kuptoj aq më tepër që viktima dhe dhunuesi janë fqinjë. Që domethënë si mund ta garantojë gjykata apo prokuroria që ai nuk do të përdori mjete presioni ndaj vajzës apo ndaj familjarëve të saj për të tërhequr denoncimin”.
Rastet e gacmimeve dhe abuzimeve seksuale, sipas Luarasit, janë shumë më të mëdha por nuk denoncohen dhe vendime të tillë kanë ndikim.
“Edhe gjithmonë vendimet e gjykatave janë një element ose mbështetës, ose dekurajon jo vetëm motivimin e tyre por edhe gjithë përpjekjet që bëhen nga ana e shoqërisë civile”.
Për psikologët, këto histori lënë gjurmë për gjithë jetën, por nëse denoncohen ata mund të trajtohen dhe nga ana emocionale.
“Në momentin që këto gjëra nuk bëhen të ditura, është një traumë që e shoqëron gjatë gjithë jetës së tij nëse nuk trajtohet. Ndërkohë që në momentin që situata bëhet e ditur dhe trajtohet, padyshim që fillon edhe minimizohet dëmi psikologjik”.
Vitet e fundit rastet e denoncimeve nga viktimat seksuale kanë ardhur në rritje, por ekspertët mendojnë se trajtimi i tyre duhet bërë me kujdes në mënyrë që të stimulohet çdo vajzë që të denoncojë kur ajo ngacmohet apo dhunohet.
Tv Klan