Eksperti i futbollit, Adriano Valduci, ka dhënë një intervistë, ku flet për situatën e Kombëtares dhe trajnerin Silvinjo. Valduci thotë se tekniku kuqezi e ka mbushur kupën, ndërsa shton se është bërë edhe arrogant, pasi nuk pranon këshilla.
Ai nuk kursehet ndaj trajnerit, duke thënë se e kalon kohën në sallon bukurie, ndërsa në fund kishte edhe një mesazh për presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
–Zoti Valduci, pas qëndrimeve tuaja të forta kundër Silvinjos, a mund të mendojmë se kërkoni largimin e tij?
Më vjen mirë që u takuam përsëri. Më pëlqen intervista me ju, se ti Tone je nga gazetarët që merr vesh nga skemat e mia dhe po ashtu nga të paktët që u dhimbset Kombëtarja. Është dhe ai Roshi prej Korçe, por nuk ngjit shumë ai robi. Që kur la Skënderbeun ka ndryshuar shumë. Të vijmë në temë. Unë mendoj që Silvinjo e ka mbushur kupën. Ai ka filluar të mos dëgjojë më dhe është bërë arrogant. Përveç kësaj ai është një ish-mbrojtës dhe nuk kupton nga skemat e mia sulmuese. Skema e fundit 3:3:5 ishte një skemë që vetëm 2 ekipe kam parë që e kanë aplikuar. Brazili në 1970 dhe Besa e Kavajës me në krye Bajazitin në 1978. Pra me pak fjalë duhet trajner i ri.
–Ikja e Silvinjos kë duhet të sjellë?
Këtu tani ka ndryshuar pak situata dhe duhet mbledhur bordi të vendosë. Unë doja të sjell Guardiolën, por pas veprimeve të tij të fundit ku e pamë si qante si kalama kam ndërruar mendje. Prandaj duhet mbledhur bordi të diskutohet se edhe në dorë të Dukës nuk mund ta lëmë këtë punë.
–Uau, ju mendoni Guardiola, por ai e ka rrogën sa Buxheti i Shtetit në Shqipëri, si zgjidhet? Të dy janë tullacë, ky Silvinjo pse nuk gërvishtet kur humbet në Tiranë?
Po ky është problemi. Sylvinjo nuk gërvishtet se shumicën e kohës e kalon në sallone bukurie, bën pedikyr dhe nuk ka thonj.
–Mesazhi juaj i fundit për Armand Dukën?
Të bëjë kujdes se ka filluar të veprojë si Takja. Shihni ku janë sot të dy. Në fund të tabelës. Por pavarësisht kësaj, unë do ta mbështes edhe për eleminatoret e Botërorit. Ishalla reflekton.