Tre persona janë ekstraduar nga Italia dhe nga Zvicra pasi ishin shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Më konkretisht dy prej të ekstraduarve janë marrë nga Italia.

Bëhet fjalë për një shtetas italian 50 vjeçar pasi duhej të ishte në arrest me burg për skema mashtruese me TVSH-në si dhe një 31 vjeçar të dënuar në Vlorë për vjedhje.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan nga Italia në Shqipëri, shtetasit:

S. C. alias A. D. alias S. C., 50 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.

Enea Korreshi, 31 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë”, njoftoi policia.

Ndërkohë një person tjetër është ekstraduar nga Zvicra. Ai ishte shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bern, Zvicër, u ekstradua drejt Shqipërisë, shtetasi Xh. K., 39 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi  i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.

Shtetasi Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së”, njoftoi policia./tvklan.al