Lajme Arkiva 2003

Elia Zaharia aktorja më e re shqiptare është protagonistja e filmit të regjisorit Mevlan Shanaj “Lule të kuqe, lule të zeza” që u shfaq premier pak ditë më parë. 21-vjeçarja në këtë film interpreton për herë ë parë në kinematografinë shqiptare, por  çfarë është më e rëndësishme ajo interpreton pranë nënës së saj, aktores së njohur Yllka Mujo, një ëndërr që Elia e ka patur që në fëmijëri dhe që tani mesa duket e ka kaluar me sukses.

Gazetarja: Ju interpretuat përkrah Yllkës, cili do të ishte impresioni juaj pas këtij filmi?

Elia Zaharia Jam jashtëzakonisht shumë e lumtur dhe shumë e kënaqur, sepse e kam shprehur në një intervistë dhe Mevlani e ka lexuar, aty kam qenë 16 vjeçe dhe thoja që ëndrra ime është të luaj në një film me mamin. Mevlani e ka lexuar atë intervistë dhe ma ka realizuar këtë dëshirë. Bashkëpunimi me mamin më ka bërë shumë mirë. Ndoshta do ta kisha më të vështirë nëse ajo nuk do ishte, sepse ajo ishte partnerja ime kryesore në atë film dhe marrëdhënia ime me mamin është e krijuar, që në shpi, që në rritje, kështu që atje erdhi më organike. Duke patur mamin përball mendoj se edhe unë isha më mirë dhe gjithçka që u krijua midis nesh.

Gazetarja: Në përgjithësi skena intime, puthje apo përqafime apo diçka më tepër nga ç’jemi mësuar të shikojmë në filmat shqiptarë, ky film i kishte të vërteta. Sa e vështirë ishte për ty ta interpretoje këtë gjë? Le ta themi troç, është apo nuk është e vështirë të interpretosh?

Elia Zaharia: Unë kur kam pranuar skenarin kam rënë dakord me të gjitha pikat e skenarit sepse më ka pëlqyer aq shumë ai rol dhe ai film sa mendoj që ishin të justifikuara. Nuk do ta kisha bërë për mendimin tim, për një film që nuk do të ishte në atë nivel. E bëra sepse ishte diça që ishte krejtësisht e justifikuar që duhej në film. Ndoshta ka patur gazetare që kanë thënë që ndoshta duhej akoma më shumë.

Mevlan Shanaj: Por ne asnjëherë nuk kemi menduar për më shumë.

 Elia Zaharia: Ka pasur mendime, por unë aq sa kam bërë e kam konsideruar normale. Nuk kam kapërcyer mbi veten time dhe aq sa kam bërë jam munduar të jem sa më e natyrshme. Domethënë unë nga ana profesionale kam pyetur njerëzit si u putha në atë film, dukej artificiale apo dukej natyrale sepse për mua ky është qëllimi jo u putha, nuk u putha, ajo që skenë që është realizuar kam dashur që të jetë realizuar dhe të ketë ardhur sa më organike./tvklan.al