Është padyshim një prej personazheve më të njohur të filmave shqiptarë. Ka qenë vetëm 5 vjeç kur ka prekur skenën për herë të parë dhe bëhet fjalë për aktorin Genc Mosho. I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan ai rrëfen se si rastësia e bëri pjesë të kinematografisë shqiptare. “A di të qash ti?”, kujton aktori fjalët e regjisores Xhanfise Kekos, në momentin e provës nga regjisorja.

Genc Mosho: Kanë kaluar shumë vite vërtetë. Pa dyshim që jeta artistike e viteve ’70-’80 ka qenë dhe mbetet pjesa ime më e “lavdishme” e jetës sime, më e bukura. Si gjithë fëmijët dhe ne kishim botën tonë, nuk dalloheshim shumë në atë aspektin e jetës së përditshme. Xhanfise Keko mund të përzgjidhte dhe shumë fëmijë të tjerë, por fati na qëlloi që na përzgjodhi ne, si unë, Erioni. Sipas mendimit të saj ne dhamë maksimumin për interpretimin e të gjitha skenave që ajo kishte në mendje që të zbatonte në kinematografinë e filmave shqiptarë.

Rudina Magjistari: Por si u takuat ju, si u bëtë pjesë e Xhanfise Kekos?

Genc Mosho: Për mua personalisht ka qenë e gjitha rastësi. Isha në kopshtin numër 8 të Tiranës dhe vjen një grup xhirimi dhe përzgjedh disa fëmijë, por ishin shumë fëmijë që u përzgjodhën, mund të ishin gati mbi 50 fëmijë nga shumë kopshte dhe u grumbulluan në të gjithë fëmijët për të bërë një kino-provë të përgjithshme. Unë kam qenë një fëmijë i urtë, vetëm në shesh xhirime shpërtheja. Në një moment të gjithë fëmijët u rreshtuar dhe filluar të recitonin ose këndonin, kurse unë hiç, rrija ashtu ulur. Xhanfise Keko më pa në fund fare dhe mesa duket më pëlqeu si portret dhe tha “po ti xhan çfarë di të bësh?” “Unë s’di të recitoj kot mos u merr me mua”, i thashë. “A di të qash?”, më tha dhe ishte pjesa e fundit, pasi do të ikte, isha rasti i fundit fare. Dhe më dha më të vështirën dhe në moment lotët e mia dolën natyrshëm.

Rudina Magjistari: Qave menjëherë?!

Genc Mosho: Ndenja pesë minuta që të vija në gjendje, në botën time dhe më “rrëtttt” më rrodhën lotët dhe Xhanfise Keko ma dha direkt rolin. Iu shfaqa si portret kapa dhe interpretim dhe iu bashkuan të dyja.

Rudina Magjistari: Por, çfarë ndodhi që qave aq lehtë në atë moment?

Genc Mosho: Gjyshi im kishte pak kohë që ishte ndarë nga jeta dhe kujtova gjyshin, unë me gjyshin rrija. As e kisha idenë e botës së artit se çfarë më priste më pas, absolutisht fare.

Rudina Magjistari: Cili ishte filmi i parë?

Genc Mosho: Ishte “Qyteti më i mirë në botë”, sa kisha mbaruar kopshtin dhe hidhesha në klasë të parë, kisha një nga rolet kryesore. Dhe aty pata pjesë me të qara./tvklan.al