Pas Shqipërisë edhe Kosova do të ketë shërbimin e internetit Starlink. Njoftimi u bë nga pronari i kompanisë “SpaceX”’, multimiliarderi Elon Musk. Vetë kompania tha se “interneti me shpejtësi të lartë Starlink tani është i disponueshëm në Kosovë”.

Ky lajm u prit si një mundësi e re mjaft e mirë për zhvillimin teknologjik të vendit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur lajmin e fillimit të shërbimeve cilësore të internetit, nga kompania Starlink e miliarderit Elon Musk. Në një postim në Facebook, Kurti tha se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunikimin në raste të emergjencave kombëtare.

Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit. Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit. Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Klan News