I ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ishte Elton Ilirjani. I lindur në Tepelenë, tashmë ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktualisht në Nju Jork.
Ilirjani ka qenë një ndër të parët që në studion e emisionit ka deklaruar rreth 10 vite më parë orientimin e tij seksual. Ai tregoi para Blendi Fevziut sot se kur e kuptoi që kishte tendenca homoseksuale.
Blendi Fevziu: Në çfarë moshe e ndjeve që kishe tendenca homoseksuale?
Elton Ilirjani: Që 6 vjeç.
Blendi Fevziu: Si mund ta ndjejë një 6-vjeçar?
Elton Ilirjani: Patjetër që e ndjen, sepse e para njëherë ti fillon dhe luan me kukulla. Unë isha si një vajzë. Unë që fëmijë kam qenë midis çunit dhe vajzës. Kisha flokë të gjata.
Blendi Fevziu: Fëmijët i miksojnë ndonjëherë edhe lojërat?
Elton Ilirjani: Kisha qejf çunat e tjerë, është shumë e thjeshtë.
Blendi Fevziu: Që në moshën 6-vjeçare?
Elton Ilirjani: Po, po!
Blendi Fevziu: Dhe kur e ndjeve ose ia pranove vetes këtë tendencë?
Elton Ilirjani: Veten mbaj mend që e kam pranuar gjithmonë. Nuk ka një fazë të pranimit të vetes tek unë sepse prindërit e mi më kanë mësuar të jem ky që jam. Si të thuash, nuk më kanë bërë asnjëherë presion të jem dikush tjetër me fjalë të tjera. Pra unë kam qenë gjithmonë i lirë të mendoj dhe përjetoj atë që jam, pa e fshehur, pa maskë.
Blendi Fevziu: Kur e pranove publikisht? Flas jo publikisht në publik të gjerë, por tek njerëzit e afërt?
Elton Ilirjani: Në vitin 1991, kam qenë 11-vjeçar. Mbaj mend si sot, kisha një tërheqje të madhe për një çun nga Tepelena. Një bukurosh me mjekër, i cili më tërhiqte shumë dhe unë i them babait tim që unë tërhiqem nga filan person dhe e kam shumë qejf.
Blendi Fevziu: Dhe si ishte reagimi i babait?
Elton Ilirjani: Mbaj mend që ka parë mamin, me vëmendje. Ishin të dy në këmbë. Panë njëri tjetrin në sy. Unë kisha një tepsi në dorë, po qëroja oriz dhe një kokërr oriz dhe shikoja të dy si po reagonin. Mami mbaj mend që i ka kafshuar pak buzën babit se babi mund të ketë qenë në qasje pak më impulsive. Pas asaj mbaj mend që mori disa minuta dhe pyeti, po si e ke qejf?
Blendi Fevziu: Po edhe cila ishte përgjigja jote?
Elton Ilirjani: Përgjigja ime ishte e drejtpërdrejtë se unë kam qenë dhe fëmijë i llastuar. I thashë e kam qejf, e dashuroj, e dua./tvklan.al