Këtë të dielë në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 19 vatra zjarri. Sipas Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile, deri më tani janë shuar 8 vatra, ndërsa 11 mbeten aktive.
Forcat operacionale po vazhdojnë punën për izolimin përfundimtar të vatrave në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik në bashkinë e Librazhdit, si dhe për vënien nën kontroll të zjarrit në fshatin Poroçan të bashkisë Gramsh.
Në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, në “Pyllin e Lopës”, janë riaktivizuar disa vatra zjarri. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave vendore po punojnë për të vënë situatën nën kontroll. Po ashtu edhe në fshatin Karmë në Vaun e Dejës, është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe pyjore me bimësi të dendur ku për shkak të terrenit të vështirë nuk mundësohet ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Përhapja e flakëve po favorizohet nga era e forte.
Një vatër zjarri është në fshatin Kus, Mali Lugë në bashkinë e Tiranës, por zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për përhapje. edhe në fshatin Bolenë të Himarës, zjarri po mbahet nën kontroll.
Në fshatin Karroq në Finiq, një vatër zjarri në terren të vështirë po monitorohet dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për përhapje.
Ndërsa në fshatin Shkallë, të bashkisë Konispol, një vatër zjarri në kullotë është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për përhapje.
Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 146 forca operacionale dhe 5 mjete zjarrfikëse, mbështetur nga 130 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar.
Klan News