Sezoni turistik, menaxhimi i emergjencave, rendi dhe siguria publike, si dhe kontrolli në territor ishin në fokus të takimit të Zv/Kryeministres Belinda Balluku dhe ministrit Ervin Hoxha me prefektet e 12 Qarqeve të vendit.
Në fjalën e saj, Balluku kërkoi angazhim më të madh për një menaxhim sa më të mirë të çdo situate, veçanërisht ato që lidhen me emergjencat.
“Do të duhet që të kemi një plan masash të mirëfilltë dhe duhet të rishikojmë planet ekzistuese, përsa i përket emergjencave civile. Ndryshimet klimaterike tashmë nuk po kursejnë askënd. Të gjitha njësitë, të gjithë prefekturat, duhet që të rifreskojnë planin e masave. Duhet të ketë një angazhim maksimal dhe koordinim me emergjencat civile. Në dijeninë time edhe Ministri i Mbrojtjes ka nisur një tur takimesh, duke pasur parasysh edhe buxhetimin e vitit 2025. Përveç faktit që janë listuar dhe inventarizuar të gjitha kërkesat, nga ana tjetër përveç makinerive apo forcave të shtuara që do të kërkohet, do të kërkohet dhe një plan i mirë efiçient për përballimin e të gjithë problematikave që mund të vijnë me shirat e vjeshtës apo dhe me ngricat gjatë dimrit”.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha kërkoi marrjen e masave të menjëhershme në çdo qark për përballimin e emergjencave civile.
“Riorganizimi i Komisionit të Mbrojtjes Civile në Qark, përditësimi i planeve të emergjencave civile me ndryshimet e ndodhura, përditësimi i kontakteve dhe rrjetit të komunikimit, për të bërë lajmërimin e hershëm funksional, sensibilizimi i komunitetit për t’u përgatitur për vështirësitë e sezonit dimëror si dhe bashkëpunimi me të gjitha Agjencitë e Drejtoritë Rajonale, bashkitë në territorin e qarkut, si dhe me subjektet private për realizimin e detyrave, sipas udhëzimeve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”.
Balluku dhe Hoxha nënvizuan se me afrimin e stinës se Dimrit është i rëndësishëm një koordinim edhe më i mirë për menaxhimin e çdo situate si pasojë e motit të keq.
Klan News