Brenda pak ditësh në kampin e Gjadrit në Lezhë pritet të vijnë emigrantët e parë që do të strehohen aty, në bazë të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Në një intervistë për gazetën Italiane “La Rebbulica”, kryeministri shqiptar Edi Rama sqaron se ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave është diçka që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me qeverinë shqiptare, por do të jetë tërësisht në juridiksion të qeverisë italiane.
“Ata do të shoqërohen nga autoritetet italiane në një vend që është nën juridiksionin italian. Si gjatë udhëtimit për në kamp ashtu edhe gjatë qëndrimit, nuk ka asnjë ndërthurje me autoritetet tona.”
Kreu i qeverisë shqiptare sqaron edhe zërat që thonë se emigrantët mund të dalin jashtë kampit dhe të lëvizin lirshëm
“Marrëveshja parashikon që emigrantët nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. Nëse kjo do të ndodhte, një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje: institucionet dhe agjencitë tona të sigurisë dhe drejtësisë kanë punuar ngushtë së bashku për vite me radhë për të luftuar krimin e organizuar. Do të shqetësohem nëse do të ketë arsye për t’u shqetësuar, dhe vetëm nëse Italia na kërkon të ndajmë shqetësimin. Deri atëherë, nuk kam pse shqetësohem.”
I pyetur nëse shqetësohet që kjo marrëveshje mund të dështojë, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Italia nuk e ka lënë kurrë vetëm Shqipërinë në gjithë këto dekada. Ndaj edhe kur në krye të qeverisë në Itali është dikush që insiston të përballet gjithmonë, mund të ecësh përpara me besim edhe kundër çdo fatkeqësie të papritur, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Sa i përket vonesave në ngritjen e kampit në Gjadër, kryeministri ka sqarimin e tij: Mund të shpjegoj pse një projekt i madh publik në Shqipëri është aktualisht i vonuar për shkak të problemeve të natyrës gjeologjike, por nuk di t’ju them nëse dhe pse ka një vonesë në këtë projekt të qeverisë tuaj. Vonesa të ngjashme ndodhin në më shumë se një rast dhe nuk habisin as miqtë tanë të saktë dhe të mirë gjermanë, këtë e di me siguri.
Disa vende evropiane kërkojnë ta kopjojnë marrëveshjen Itali-Shqipëri. Por për Edi Ramën, ky bashkëpunim është i vështirë të ndodhë sipas këtij modeli.
“Mund të jetë e përsëritshme, por së pari do të më duhej të kuptoja se kush është çifti tjetër de facto në Evropë, i përbërë nga një shtet anëtar i BE-së dhe një shtet evropian që ende nuk është anëtar i BE-së. Për momentin e kam të vështirë ta shoh diçka të tillë.”
Aktualisht nuk është bërë e qartë nëse hapja e kampit do të bëhet me një ceremoni, shoqëruar me prerje shiritash nga Rama e Meloni, por autoritetet italiane kanë inspektuar ditët e fundit të gjitha detajet para ardhjes së emigrantëve të parë.
Klan News