Nga spitali “Memorial” i Fierit, të cilin e konsideron një model të suksesshëm për zhvillimin e shëndetësisë, Edi Rama njoftoi dorëzimin e Kartës së Autonomisë Menaxheriale për 6 spitale të tjera në vend.
Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ai “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal i Korçës, i Elbasanit, Gjirokastrës dhe Spitali Universitar i Traumës, iu bashkuan transformimit të sistemit shëndetësor.
Ndërkohë, spitali Memorial në Fier, dhuratë e qeverisë turke nga Prilli i vitit 2021 mori Kartën e Autonomisë Financiare. Ndaj dhe një falenderim Kryeministri e pati për mikun e tij Presidentin Erdogan.
“Unë kam këtu kartën e autonomisë financiare që dua t’ia dorëzoj bashkëdrejtuesve të spitalit, se këtu i kemi çift. Këta janë çifti i parë pastaj të gjithë këta të tjerët do të çiftëzohen dhe do kemi një krushqi të madhe shqiptaro-turke. Dua ta mbyll këtë parantezë duke shprehur një mirënjohje të përzemërt për Republikën e Turqisë, për presidentin Erdogan, i cili luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e këtij spitali dhe për ministrin e Shëndetësisë, i cili ka qenë shumë i etur për t’ju sjellë më në fund këtu”, tha Rama.
Sipas Ramës, autonomia financiare nënkupton për të gjithë bluzat e bardha shpërblim sipas performancës.
“Çka do të thotë se edhe shpërblimi financiar, nga një shpërblim horizontal, i barabartë sipas kategorive kthehet në një shpërblim ku sipas performancës dikush mund të marrë më shumë sesa tavani i kategorisë së vet, dikush mbetet tek tavani i kategorisë së vet”, tha Rama.
Autonomia financiare e spitaleve nënkupton vetëfinancimin e tyre dhe se përmes kësaj skeme një pacient nëse dëshiron të marrë një shërbim më të shpejtë mund të paguajë, duke evituar radhët e pritjes. Sakaq, mjekët do të paguhen më shumë bazuar mbi performancën e tyre në punë.
Tv Klan