I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime në Kosovë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.
Në përfundim të takimeve, Sorensen dhe zyrtarët e Kosovës nuk mbajtën një deklaratë për media, lidhur me bisedimet e tyre me dyer të mbyllura.
Fillimisht Sorensen takoi Presidenten Osmani, në kabinetin e saj, ku dhe u fotografuan së bashku për mediat.

Më pas, i deleguari i BE-së takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, po kështu me dyer të mbyllura, siç raportojnë mediat e Kosovës.

Peter Sorensen aktualisht po zhvillon një takim gjithashtu dhe me kryenegociatorin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, raporton Klan Kosova.
Zyrtari i Bashkimit Evropian do të qëndrojë në Kosovë deri më datë 19 Mars. Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë që kur ai mori detyrën e rëndësishme, me datë 1 Shkurt. Sorensen është pasuesi i Miroslav Lajçak.
Sorensen sakaq ende nuk ka arritur të ndërmjetësojë ndonjë takim të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por deri më tani ka punuar veçmas me secilin shtet në mënyrë që të çojë më tej në hapa pozitivë dialogun mes tyre.
Nën ‘mbikëqyerjen’ e Lajçakut, Kosova dhe Serbia, më datë 17 Dhjetor, u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.
Dy shtetet, po përpiqen për zhvillojnë dialog që nga viti 2011, nën drejtimin nga Bashkimi Evropian.
/tvklan.al