Sonte në mbrëmje në orën 21 në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu vijon rrëfimi i jetës dhe karrierës së një prej personazheve më të rëndësishëm të 20 viteve të fundit, Fatos Nano.
Takimi i njohur ndryshe si i “Triestes” dhe njohjet personale të Fatos Nanos me Sali Berishën.
Fatos Nano: “Sali Berishën e kam takuar për herë të parë fizikisht domethënë i kemi dhënë dorën njërit-tjetrit dhe natyrisht e njihja nga faqet e shtypit apo diku nga nëna ime vuante nga zemra që në atë kohë, por nuk ishte kuruar nga doktor Berisha. Nga mjedise shoqërore, profesionale, intelektuale kështu që kishim kontakte me të.”
Në këtë pjesë të dytë Fatos Nano kërkon më në thellësi të memories së tij kontaktet e para me ata që më vonë u bënë protagonistë kryesor të jetës politike publike në vend.
Konsideron ambiciet e tij pak më sofistikuara se ato të Sali Berishës dhe mban mend se diku Berisha e ka konsideruar Nanon një intelektual të sofistikuar të komunizmit.
Fatos Nano: “Unë vazhdoj të jem edhe sot e kësaj dite i bindur, besoj që edhe Berisha mund të ketë reflektuar, por unë nuk kam ndonjë të dhënë për këtë. Që në rast se do të ishin dominuar veprimet e rrugës, ethet e rrugës, në qoftë se do të ishin klasifikuar ndjenjat dhe nevojat e të persekutuarve të vërtetë, nga spekulantët me persekucionin komunist, Shqipëria do të kishte vetuar shumë fatura që zgjatën procesin dhe shtuan kostot e tranzicionit.”
Ky që sapo dëgjuat është qëndrimi që Nano ka për funksionim e bisedës së Triestes.
Arrestimi i korrikut 1993, përpjekjet e panumërta për të ruajtur kontaktet me botën përtej hekurave, komunikimi që arrinte të kishte me PS-në dhe madje mos përjashtimi kategorik për mundësinë e drejtimit politik të saj prej andej.
Fatos Nano: “Shtypi para se të vinte në sytë e mi, hynte në çorapet e mia të leshit këtu në thembër. Unë lexoja natën, kur vonë gardianët mësuan ky i rrezikshmi duhet ruajtur natën se ditën bën sikur fle.”
Zgjedhja e Bashkim Finos si kryeministër, largimi nga burgu me 13 mars 1997, dijenia ose jo për atentatin ndaj Azem Hajdarit për të cilin Nano zbulon se lajmin e ka marrë nga Ben Blushi, në atë kohë zëdhënësi i tij.
Fatos Nano: “Isha në dijeni dhe kishim përcaktuar një plan masash të SHIK-ut dhe policisë që ruanin Azemin, ashti siç në raste të tjera kryetarin e opozitës Berishën. Kishte mjaft kërcënime dhe pandehma që agjencitë e ligjit ishin të detyruara të ndiqnin në atë kohë siç ka dhe sot. Ishim akoma më serioz sepse kishte ndodhur një aksident me plagosjen e Azemit në Parlament dhe unë besoj që nuk mund të bëja ndonjë veprim më shumë.”
Rikthimi i Fatos Nanos, ndonëse ai qartë tregon që ka qenë gjithmonë në politikë dhe mendimi që ai ka për gjendjen në të cilën PS-ja ndodhet.
Fatos Nano: “Është mbyllur e gjithë godina e PS-së, është bërë hermetike struktura e komunikimit të partisë apo të udhëheqjes me militantët. Është plotësisht e mundur që me riaktivizimin e të gjithë vlerave që kemi krijuar së bashku e majta të rindërtojë aftësitë e saj konkurse dhe të rivendosë hierarkinë e vlerave të shkatërruara tashmë. Besoj se kjo nuk mund të bëhet me erën Rama dhe me sëmundjet që ka sjellë Rama në PS.”
Blendi Fevziu: “Ju mendoni që duhet hapur një erë e re brenda PS-së?”
Fatos Nano: “Është absolutisht e nevojshme të rihapet PS-ja.”
Sonte në mbrëmje në orën 21 do të keni mundësi të ndiqni këto, por edhe të tjera argumente dhe përgjigje nga këndvështrimi i një njeriu i cili pranon se shumë shpejt nuk do të mungojnë të papriturat rashës./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo