Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetari Ardi Pulaj:- Për të diskutuar zhvillimet më të fundit politike në vend dhe gjendjen e opozitës shqiptare përball tyre, sot në studion e lajmeve të TV Klan, kemi të ftuar sekretarin për marrëdhëniet publike të PD, zotin Spartak Ngjela. Mirëmbrëma zoti Ngjela! Avokat, ne sot patëm dy kronika që në fakt reflektojnë dy qëndrime të opozitës shqiptare, por le të nisim nga e para. Përse keni vendosur, që qoftë edhe në mënyrë simbolike të dilni në protesta për të përkujtuar rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha?

Spartak Ngjela:- “Nuk ka ndonjë vendim, mendime janë të deritanishme, të paktën këtë përshtypje kam unë, por ne do ta festojmë ashpër, ajo është dita e anti-diktaturës”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Do me thënë do të ketë protesta.

Spartak Ngjela:- Varet se ç’koncepton me protesta, por që ajo është edhe e drejta e të gjitha forcave anti-diktaturë në Shqipëri. Ne do të mbajmë qëndrimin tonë”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Avokat, a mendoni ju, se shoqëria shqiptare ka shumë probleme, siç dihet, siç janë psh. mungesa e energjisë elektrike, varfëria, gjendja e mjeruar e sistemit shëndetësor në Shqipëri. A do të ishte 20 Shkurti një rast i mirë për të protestuar për këto mungesa?

Spartak Ngjela:- “Natyrisht, por këto janë çështje të cilat ende nuk janë objekt i politikës, në kuptimin e revoltave. Çështja qëndron më thellë se kaq, pra nuk është çështja revolta për drita dhe ujë, por problemi do të akumulohet deri atje, sa të rrëzohet kjo qeverisje, por çështja është që ne po i përmbahemi normave perëndimore, për vajtje normal në zgjedhje të parakohshme”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Ndërkohë do të kalojmë në një temë tjetër. Nesër Parlamenti do të vendosë mbi ngritjen ose jo të një komisioni hetimor parlamentar, për të hetuar Edi Ramën. Ju akuzoheni se po ngrini një komision ndaj një kundërshtari të përveçëm politik, sesa figurës së kryebashkiakut të Tiranës, që sipas jush ka shkelur edhe ligjin. Ju si mund ta mbroni pozitën tuaj lidhur me këtë problem?

Spartak Ngjela:- “Nesër opinioni publik shqiptar, të tërë ata që e ndjekin politikën e Shqipërisë edhe jashtë saj, do të përballen me momentin ku parlamentarizmi shqiptar mund të rrezikohet përfundimisht. PD është e vendosur që nesër, për këtë ngritjen e këtij komisioni, i cili s’ka forcë ta ndalojë është e drejtë kushtetuese, do bëjë mbrojtjen më të madhe të Kushtetutës në historinë e kushtetutshmërisë në Shqipëri. Në qoftë se nesër socialistët, do të votojnë për eliminimin e opozitës, se votimi i një çështje që nuk votohet,  në mënyrë arbitrare, që kërkesë e opozitës dhe e drejta e saj kushtetuese, që do të thotë, e drejta e shqiptarëve për të hetuar, socialistët kanë bërë grusht shteti, kundër momentit opozitar në Shqipëri. Opozita nuk ka ç’pret më. Në qoftë se nesër, ata marrin vendimin, për të eliminuar opozitën nga skakiera e politikës, gjithçka është në favorin tonë, për ta mbrojtur njëherë e mirë çështjen e demokracisë dhe parlamentarizmit në Shqipëri”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Avokat, një temë tjetër janë edhe përpjekjet dhe tentativat, që opozita po bën për unifikimin e saj, përballë një mazhorance që po jep shenja çarje, megjithatë, thirrjet e doktor Berishës në disa raste kanë marrë përgjigje negative. Mendoni se kjo ide, pra bashkimi i opozitës mbetet e realizueshme?

Spartak Ngjela:- “Bashkimi i opozitës është një proces, nuk është një moment spontan, duket se kështu është konceptuar që në krye të herës. Pra opozita aktualisht në të gjithë spektrin e politikës, që luhet në Shqipëri, kuptohet se është e ardhmja e pushtetit dhe sot kërkohet të dalë lidershipi dhe bashkimi i saj do të thotë zgjedhje sa më të shpejta të parakohshme. Kështu që ne nuk kemi asnjë lloj mundësie tjetër, për të ndaluar këtë proces me përjashtim të asaj që ta shpejtojmë atë. Problemi është që diskutimet janë bilaterale, pra ajo që mund t’u them është fakti, që midis opsioneve të bashkimit, duket se fiton ai i një koalicioni të institucionalizuar. Pra ky proces po ecën, faza e parë ka mbaruar me pranimin në parim të të gjitha forcave opozitare për bashkim, tani natyrisht modalitetet e bashkimit janë diçka e cila nuk mund të eci në 24 orë, ajo është një çështje që piqet gradualisht, sepse në flasim për institucionalizimin e bashkimit të opozitës”./tvklan.al

Gazetari – Ardi Pulaj