Me shkarkimin e Erik ten Hag te Manchester United kanë nisur të mendojnë për pasuesin e holandezit. Ruud van Nistelrooy ka marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës, eksperiencë që mediat angleze e konsiderojnë që nuk do të jetë e gjatë.
Ish-sulmuesi i anglezëve nuk shihet si favorit për të qëndruar gjatë, kjo ndikuar edhe nga periudha e shkurtër në stol. Në 33 ndeshje me skuadrën holandeze, PSV, ai regjistroi 22 fitore, 6 barazime e 5 humbje. Shifra që gjithsesi nuk bindin drejtuesit për t’ia besuar përgjithmonë stolin 48-vjeçarit.
Dëshira më e madhe është padyshim Zinedine Zidane. Francezi gjendet prej kohësh në listën e “ëndrrave” të anglezëve dhe ky mund të konsiderohet edhe si momenti i duhur. 52-vjeçari nuk ka gjetur ende një skuadër dhe ky fakt pritet të shfrytëzohet nga ana e United. Gjithsesi, problem në këtë pjesë mbetet fakti që sezoni ka nisur dhe Zidane do e kishte të vështirë për të rikthyer buzëqeshjen.
Graham Potter është një tjetë emër që intrigon “djajtë e kuq”. Që kur u shkarkua nga detyra në prill 2023, ish-tekniku i Chelsea është në kërkim të një skuadre. Eksperienca e gjatë, kryesisht në nivel klubesh e cilëson si favorit për të marrë drejtimin e Manchester United.
Në 397 ndeshje në stol, anglezi 49-vjeçar ka koleksionuar 160 fitore e humbur 118. Në mesin e dëshirave të Manchester United gjenden edhe profile si Çavi Hernandes, Simone Inzaghi apo edhe Rubin Amorim.
Klan News