Komiteti Teknik i ekspertëve ka vlerësuar se rritja e rasteve javën e fundit ka ardhur si pasojë e moszbatimit të masave. Mira Rakacolli u shpreh se deri më tani nuk është detektuar asnjë variant i ti i koronavirusit.
Zv/ministrja Rakacolli tha se situata vijon të mbetet e kontrolluar, prandaj është vendosur që të vazhdohet me ndërprerjen e fluturimeve drejt Britanisë së Madhe, dhe shtoi se ky vendim do të vlerësohet sërish.
“Po vlerësohet shfaqja e varianteve të transformuara të Sars-Cov2 që dihet që kanë një mundësi më të lartë infeksioziteti. Por fatmirësisht deri tani situata vazhdon të mbetet e kontrolluar dhe për këtë arsye në takimin e sotëm të Komitetit të Ekspertëve u vendos që të vazhdojmë ndërprerjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një vlerësim tjetër, deri në një moment të dytë, ku do ta rivlerësojmë përsëri në varësi të dinamikës së situatës epidemiologjike”, tha Rakacolli.
Sa i përket kërkesës së universiteteve për t’u rikthyer në auditorë, Rakacolli tha se nuk ka ende asnjë vendim, por po punohet së bashku me Ministrinë e Arsimit për një plan. Rakacolli tha se vendimi për hapjen ose jo të auditorëve mund të jepet maksimumi deri në fund të kësaj jave.
“Në lidhje me kërkesën e universiteteve që meqë hyjnë në sezonin e provimeve t’i zhvillojnë ato nëpër auditore, po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave”, tha Mira Rakacolli./tvklan.al