Sinoptikanët: Reshje dëbore në zonat e thella malore
Mbrëmja e së dielës ka sjellë reshje shiu, erë të fortë dhe temperatura të ulëta më dy gradë pothuajse në të gjithë vendin. Dimri erdhi dhe ky është vetëm fillimi.
Në Vlorë era ka qenë problem në det të hapur. Ndërsa në Korçë era e fortë ka shkaktuar probleme duke dëmtuar disa linja të furnizimit me energji elektrike në disa fshatra.
“Dimri ka mbërritur pasi kemi patur reshje të konsiderueshme mbrëmë gjatë natës me forcim të parametrit të erës deri në 6km/orë. Kjo situatë në fakt do të vijojë gjatë gjithë kësaj jave pasi reshjet do të vijojnë të mbeten prezente edhe pse herë pas here do të kemi intervale me kthjellime.”
Në zonat e thella malore nuk do të mungojnë reshjet e dëborës.
“Reshjet e dëborës do të jenë në sasi shumë të pakët dhe kryesisht të fokusuara në zonat e thella malore, ndërsa pjesa më e madhe e territorit shqiptar do të ketë reshje shiu.”
Mesi i muajit Dhjetor do të sjellë temperatura më të ulëta dhe kthjellime të motit, por reshjet do të jenë prezente sërish në 10 ditëshin e mbetur.
Tv Klan