I ftohti ka mbërritur këtë javë duke sjellë reshje shiu e dëbore në të gjithë vendin. Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave sjell parashikimin e motit për “Rudina” në Tv Klan duke u shprehur se nga e hëna ndërpriten reshjet. Ditët në vijim do të kenë një rritje të lehtë të temperaturave, por në zonat malore termometri do të qëndrojë nën zero.

Nga e enjtja, moti ndryshon sërish dhe do të ketë diell e rrjedhimisht, do të jetë më ngrohtë. Meteorologia këshillon që këtë javë të zgjedhim veshje të trasha.

Anira Gjoni: Java ka nisur me temperatura të ulëta. Lë pas një fundjavë me reshje si në formën e shiut, ashtu edhe të dëborës, me intensitete të shtuara pasi në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës kishim reshje intensive ku lokalisht në Vlorë shkonin deri shumë intensive dhe kanë sjellë jo pak problematika sa i përket vërshimeve të shpejta dhe problematike në qendrat urbane. Reshjet ditën e hënë ndërpriten dhe presim që të kemi ndërprerjen e tyre pothuajse në të gjitha qarqet dhe i lënë vendin temperaturave të ulëta që në zonat malore do të jenë nën 0 gradë, si vlera minimale, ashtu edhe ato maksimale të ditës dhe sjellin problematika sa i përket ngricës, kryesisht në akset rrugore të zonave malore. Do të jetë një javë me temperatura shumë të ulëta sepse përgjatë së mërkurës priten deri në -10 gradë në zonat malore sa i përket minimaleve të natës dhe ato maksimale shënojnë deri në -2 gradë çka do të thotë se nuk i kalojnë vlerat 0 gradë. Kemi praninë e ngricave.

Do të jetë dita e enjte ajo që do të shënojë edhe një kthesë sa u përket temperaturave dhe do të sjellë përmirësimin e kushteve të motit. Gjatë këtyre ditëve, të martën dhe të mërkurën do të ketë alternime të kthjellimeve dhe vranësirave të herëpashershme por nuk do të gjenerojnë reshje apo problematika për sa u përket reshjeve në të gjithë territorin. Dita e enjte dhe dita e premte, presim që të kemi një mot të kthjellët, me diell dhe do të kemi edhe përmirësimin gradual të temperaturave pasi fillon rritja e tyre me 2 apo 3 gradë. Në fundjavë presim që të kemi një mot të kthjellët dhe me diell. Një këshillë e fundit është se gjatë kësaj jave duhet patur kujdes për shkak të temperaturave të ulëta. Duhet të vishemi trashë. Nuk do të shfaqen problematika sa u përket reshjeve pasi presim që të kemi ndërprerjen e tyre. Problematike ngelen temperaturat e ulëta dhe ngricat në zonat malore./tvklan.al