Kompania OSHEE nuk kërkon ndryshim të tarifës, OST aplikon për rritje
Enti Rregullator i Energjisë nuk ka vendosur ende për çmimin që do të paguajnë vitin e ardhshëm konsumatorët fundorë.
Burime zyrtare për televizionin Klan, pranuan se kompania e shpërndarjes së energjisë ka bërë aplikimin për tarifën e vitit 2021 një javë më parë, ndërsa kërkesa është duke u shqyrtuar nga Enti Rregullator.
Në kërkesë, kompania OSHEE nuk ka kërkuar ndryshim të çmimit, por të njëjtën tarifë që ka aplikuar në 5 vitet e fundit: 9.5 lekë/kwh për abonentët familjarë, 14 lekë për bizneset dhe 7.6 lekë/kwh për furrat e bukës.
I vetmi ndryshim në kërkesën për tarifë është ajo e çmimit që kompania e shpërndarjes OSSH do t’i faturojë kompanisë FSHU, për shkak të ndarjes në 3 shoqëri të operatorit të sistemit të shpërndarjes. Nga 4.79 lekë/kwh, çmimi për OSSH do të rritet në 5.98, por të gjithë ngarkesën do ta mbajë furnizuesi universal dhe jo konsumatori.
Edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar rritje me 40% të tarifës, nga 0.75 lekë/kwh në 1.31, por kjo kërkesë është kthyer për plotësim dokumentacioni dy herë deri më sot nga ana e ERE-s.
Vitin e shkuar ERE e miratoi tarifën më datën 31 dhjetor, ndërsa nëse nuk merr një vendim këtë vit, kompanitë mund të vazhdojnë me tarifat që janë në fuqi dhe vendimmarrja të bëhet vitin e ardhshëm.
Tv Klan