“Mund të bëheshin “më të dashur” për klientët në dreka e darka”
Avokatja e Popullit, Erinda Ballancën, e cila prej dy vitesh ndodhet në krye të kësaj detyre, ka folur për sfidat profesionale.
E ftuar në emisionin e pasdites “Rudina” në Tv Klan, ajo tha se edhe pse profesioni i avokatisë në Shqipëri ka më tepër meshkuj, ajo nuk është ndjerë asnjëherë e paragjykuar, por thotë se numri i femrave në fashën e avokatëve të spikatur ka qenë pak më i vogël.
Kjo sipas saj edhe për një arsye sepse meshkujt mund ta gjejnë fjalën më mirë me një burrë dhe se bisedat i bëjnë në kafe.
“Sa herë që doja të diskutoja për një çështje pune, më thonin ‘hajde pimë një kafe’, sepse kështu ishin mësuar. Kolegët e mi meshkuj kanë qenë më të favorizuar sepse ata mund t’i mbyllnin çështjet apo të bëheshin “të dashur” për klientët e tyre, në dreka e darka me pije shumë, ndërsa unë se kam bërë dot këtë”, u shpreh Ballanca, duke shtuar se pavarësisht prej kësaj, ajo nuk është ndjerë ndonjëherë e paragjykuar prej faktit që është grua.
“Diferenca mes meshkujve dhe femrave sipas mendimit tim, është se meshkujt janë strategjik dhe nuk janë të mirë në detaje ndërsa femrat kapin detajet. Por femrat mund të kenë një disavantazh me ta, sepse këta të fundit duke mos u marrë me detajet merren vetëm me gjënë e madhe dhe duken më të suksesshëm pasi kanë gjetur zgjidhjen. Por implementimi është shumë i rëndësishëm”, tha Avokatja e Popullit teksa thotë se nëse një mendim i mirë nuk implementohet në mënyrën e duhur, atëherë është një dështim. /tvklan.al