Erla Mëhilli: “Sot Edi Rama mbas 20 vitesh pluralizmi vendosi të shpallë garën elektorale të Partisë Socialiste pa udhëheqësin e saj. Edi Rama sot përsëriti vitin ’91 të Ramiz Alisë, kur ai për të mos humbur karrigen e presidentit hapi garën elektorale pa përfshirë sekretarin e parë të partisë politike që drejtonte. Me vendimin për të mos udhëhequr garën e partisë së tij, Edi Rama, u tha socialistëve shqiptarë se dasma e tyre elektorale do të jetë një dasmë pa dhëndër pasi atë e kanë kastruar lejet e ndërtimit. Të nisësh garën duke mos qenë i zoti të japësh dorëheqjen nga detyra e kryetarit të bashkisë në emër të interesave më të mirë të anëtarësisë dhe mbështetësve të partisë tënde do të thotë jo vetëm të vendosësh një standard që s’ka ekzistuar kurrë ne vendet e lira, por do të thotë të firmosësh publikisht kapitullimin dhe ta bësh këtë vetëm e vetëm për interesat e karriges bashkiake. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë qëndrim primitiv arkaik e prej frikacaku të Edi Ramës Partia Demokratike garanton zgjedhësit shqiptarë se programi  i saj elektoral do të mishërojë interesat dhe aspiratat e tyre, kurse përsa i përket listës së deputetëve, të cilën zoti Rama nuk guxoi as ta komentonte publikisht në të cilën mungon emri i kryetarit dhe ish-kryetarit të saj mendoj që komenti më i mirë është të mos komentosh fare. Është listë e dështimit të plotë dhe të sigurt të Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme”./tvklan.al