Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka folur sërish për situatën e krijuar nga zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve për të cilin thotë se është e përsëritur. Në një intervistë për Tv Klan, ai shprehet se institucionet ligjzbatuese duhet të hetojnë dhe të vënë përpara drejtësisë autorët.

“Puna vazhdon me intensitet të lartë me qëllim që ta vendosin sa më shpejt në normalitet këtë situatë të krijuar. Të gjitha institucionet ligjzbatuese, prokuoria, policia duhet të marrin masa dhe janë në fakt edhe ata në punën e tyreë për të identifikuar nëse do të ketë një person. Qoftë edhe pa qëllim të jetë ky zjarr, prapë dëmi që vjen më pas për komunitetin dhe qytetin është shumë i madh.

Shpresojmë që të na kalohen neve kompetencat si bashki, gjë të cilën e kemi kërkuar me forcë me qëllim që të vendoset sa më shpejt në punë landfilli i Sherishtës. Është një tym në fakt që krijon një imazh jo fort të pëlqyeshëm, qoftë për mua, qoftë për të gjithë ata që zgjedhin Vlorën si destinacion dhe patjetër, kryesorja është komuniteti që jeton këtu. E ka rast të përsëritur, nuk më vjen mirë, por unë dua të  garantoj këtë gjë: si kryetar bashkie dhe e gjithë administrata që kemi poshtë, jemi gjatë gjithë kohës në luftë të vazhdueshme që ta mbyllim sa më shpejt”, përfundoi Dredha./tvklan.al