Ervin Salianji ka reaguar nga burgu pas seancës së sotme parlamentare. Ish-deputeti që po vuan dënimin në Fier për kallëzim të rremë thotë se socialistët vendosën ta fshijnë emrin e tij në parlament me vendim politik të Edi Ramës.
Pavarësisht kësaj ai thotë se i ka shërbyer vetëm interesit të qytetarëve dhe të vazhdojë të jetë tmerri i atyre që mendojnë se duke e izoluar do ia mbyllin gojën.
“Sot me vendimin politik të Edi Ramës, socialistët vendosin ta fshijnë emrin tim nga radhët e opozitës në Parlament, duke hequr mandatin e dhënë nga qytetarët e Korçës! Jam krenar që në çdo ditë të ekzistencës time politike i kam shërbyer vetëm interesit të qytetarëve! Edhe nga burgu politik do të vazhdoj të jem tmerri i atyre që mendojnë se me izolimin tim do të më mbyllin gojën. Asgjë nuk më ndal! Beteja politike vazhdon”, shkruan Salianji.
Kujtojmë që ditën e sotme, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njoftoi gjatë seancës parlamentare vakancën e mandatit pas dënimit të Salianjit.
Ajo sqaroi se Këshilli i Mandateve nuk u mblodh pasi dënimi i Salianjit është një vendim i formës së prerë. Mirëpo burgosja e tij ka shkaktuar reagimin e opozitës që ka nisur një aksion.
Sot dogjën karriget dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës duke premtuar se të njëjtën gjë do të bëjnë edhe në vazhdim.
Ndërkohë të hënën e 7 Tetorit PD ka paralajmëruar një protestë kombëtare. /tvklan.al