Zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë. I shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, ai ka nisur takimin me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë blu.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri e Escobar, i cili është Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi disa ditë më parë se qëllimi i vizitës është për të thelluar miqësinë e ngushtë mes dy vendeve, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Pas takimit me Bashën, Escobar do të takohet me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka rreth orës 15:00. Takimi i zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit me Kryeministrin Edi Rama do të zhvillohet rreth orës 17:00.

Ambasada e SHBA tha se vizita e zyrtarit të lartë ka si qëllim rikonfirmimin e mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

“Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhej në një njoftim të ambasadës amerikane.

Kujtojmë se një ditë më parë SHBA-ja vendosi sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën duke shënjestruar edhe një grup të krimit të organizuar me qendër në veriun e Kosovës. Bëhet fjalë për biznesmenin serb Zvonko Veselinoviç, vëllain e tij dhe një sërë bashkëpunëtorësh.

Vendimi erdhi pak javë pasi Escobar tha se korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor do të vijojë të ketë sanksione nga SHBA. Po ashtu vizita e zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit zhvillohet 2 ditë para Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit./tvklan.al