Junaid Sultan është një kirurg i cili shërbeu vullnetarisht për më shumë se tre javë gjatë Prillit në “Spitalin Evropian” në Rafah. Ai udhëtoi drejt Gazës së bashku me një ekip prej 14 kirurgësh që vinin nga Britania e Madhe dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekipi i mjekëve po punonte me një organizatë jofitimprurëse amerikane të quajtur “FAJ Scientific” e cila bën pjesë në bashkësinë e madhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Për BBC Junaid Sultan ka treguar përvojën e tij përgjatë atyre 3 javëve qëndrimi në Gaza, teksa më tutje thekson se dëshiron që të kthehet përsëri atje për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë civilëve të cilët po luftojnë për të mbijetuar.

“Ajo që pashë ishte vetëm uria dhe vuajtja. Gaza është shndërruar si një ferr për civilët dhe në thelb ata po jetojnë më keq se kafshët. Ishte një përvojë shumë e dhimbshme. Është e tmerrshme të shohësh dhe të mendosh se si ne njerëzit ia bëjmë këtë gjë njëri-tjetrit,” nis rrëfimin e tij kirurgu.

Teksa më tej tregon rastin e tij më të vështirë i cili i është ngulitur në tru dhe e kujton me shumë dhimbje. Ai tregon rastin e një fëmije 12 vjeç i cili kishte mbërritur në spitali me plagë të mëdha i shtrirë krah nënës së tij që kishte ndërruar jetë.

“Ai ishte në agoni absolute dhe po qante. Mjekët nuk kishin ilaç për t’ia qetësuar dhimbjet dhe më e keqja ai ende nuk e kishte kuptuar se të dyja këmbët e tij ishin shkatërruar plotësisht. Kur mori vesh që nëna e tij kishte ndërruar jetë më tha: ‘Pse më shpëtove? Do doja të kisha vdekur.’  Ishte shumë e dhimbshme, e përqafova dhe u ula me të për më shumë se një orë duke biseduar për ta qetësuar. Por brenda vetes u ndjeva shumë i thyer, Nuk dija se çfarë mund të bëja më shumë për ta ndihmuar atë fëmijë,” tregon më tej ai.

Kirurgu tha se situata e luftës një tmerr, bombardimet, mbeturinat, ujërat e zeza dhe shumë të tjera ishin shkaktarët kryesorë të përhapjes së infeksioneve. Ai tha gjithashtu se spitali i ngjante më shumë një kampi.

“Spitali u shndërrua tërësisht në një kamp refugjatësh. Ishin rreth 30 mijë njerëz sepse shtëpitë e tyre ishin shkatërruar. Në korridoret e spitalit kishte tenda nga të dyja anët, gjë që ndikonte shumë në protokollin e spitalit. Duke shkaktuar shumë pengesa në ofrimin e shërbimeve klinike dhe më pas në higjienën,” përfundon kirurgu nga Britania, Junaild Sutan.

Izraeli dhe Hamasi janë në luftë që kur disa persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 Tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë 251 pengje në Gaza.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit të Hamasit, të paktën 37,765 njerëz janë vrarë në Gaza në ofensivën ushtarake izraelite që pasoi.

/tvklan.al