Pavarësisht vendimit të Sekretariatit të Etikës, i gjithë grupi parlamentar i PD do jetë nesër në seancë plenare. Kështu deklaroi këtë të Mërkurë kreu i grupit të demokratëve Gazment Bardhi. Ai u shpreh se është antiligjore që deputetët të mos lejohen në vendin e tyre të punës.
“Grupi parlamentar do të paraqitet, padyshim që Rama mund të na vërë përballë ushtrinë, policinë…Një Kuvend në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian që pengon opozitën me forca sigurie të hyjë në vendi e tyre të punës shfaq në sytë e opinionit kombëtar e ndërkombëtar tiparet e shtetit që po ndërton Edi Rama.”
Bardhi përjashtoi ashtu si kolegët e tij, mundësinë për bojkot parlamentar.
Kujtojmë se “Etika” përjashtoi me 60 ditë nga punimet e Kuvendit Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledjon Nallbatin. Me nga 40 ditë 20 deputetët e tjerë ndërsa me 10 ditë “ndëshkoi” Edi Palokën. Ky vendim erdhi pas situatës kaotike me djegien e karrigeve jashtë Parlamentit dhe hedhjes së mjeteve në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali.
/tvklan.al