Hamburgu do të jetë epiqendra e futbollit Europian në orën 21:00. Përsëritja e finales së 2016 premton spektakël pasi në fushë zbresin yjet më të mëdhenj të kontinentit.
Si Portugalia ashtu edhe Franca nuk kanë bindur deri në këtë pikë të kompeticionit, gjithsesi, bileta gjysmëfinale është detyrë për secilën nga kombëtaret. Të gjithë sytë do të jenë padyshim tek Cristiano Ronaldo e Mbappe, nga ku priten shkëndijat e një 90 minutëshi të zjarrtë.
Ylli luzitan kërkon të shënojë golin e parë në këtë Europian, ndërsa francezi me maskë në hundë synon të shndërrohet në liderin e “gjelave” që deri në çerekfinal ka shënuar vetëm 3 herë, asnjë prej të cilëve me aksion të rrjedhshëm.
Mbi të gjitha, Franca luan edhe për hakmarrje ndaj Portugalisë, për atë humbje të 8 viteve më parë, duke i hequr nga dora titullin Europian. Skuadra e Deshamp gjendet në këtë raund për herë të tretë në katër kampionatet e fundit Europiane, teksa frikë duhet të ketë edhe nga Bruno Fernandesh.
Sa herë që mesfushori ka shënuar, Portugalia ka fituar në të 17 takimet, fakt që favorizon në letër luzitanët. Portugali-Francë do vij ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan e Klan Radio duke nisur nga ora 21:00.
Klan News