Në intervistën për gazetarin Besard Jacaj, në Klan News, Ansi Agolli u pyet dhe për kritikat e shumta për Elseid Hysajn pas humbjes me Italinë.
“Nuk i bëjnë mirë këto gjyqe absurde askujt. Edhe Dimarco gaboi që në fillim të ndeshjes dhe askush nuk e “kryqëzoi”. Duhet të fokusohemi tek fryma e grupit dhe nuk duhet të merremi me cilësimet hero dhe tradhtar”.
“Hysaj reagoi me instiktin e momentin. Ndoshta ka menduar se topi po shkonte jashtë. Aq i madh ishte “gjyqi” ndaj tij, që duhej shmangur, sa e detyruan të mbyllte rrjetet sociale. Të përqëndrohemi tek anët positive, duke ngritur imazhin e futbollistëve, kemi ngritur dhe imazhin e vendit tonë, se vendin tonë përfaqësojnë”, tha Agolli.
Ish-kapiteni i Kombëtares vlerësoi edhe Ivan Balliun.
“Nuk e di se si do të veprojë Silvinjo për aktivizimin ose jo të Hysajt, por Ivan Balliu kohët e fundit është paraqitur mjaft mirë. Ai ka treguar se lidhet mjaft mirë jo vetëm me shokët e repartit, por edhe me repartet e tjera të skuadrës. Direktivat e trajnerit Silvinjo kanë bërë mjaft mirë, sepse menaxhohet grupi jo vetëm për ata që luajnë, por për një numër të madh lojtarësh të cilët rrinë në stol, ose në tribunë”.
“Distanca nga mbrojta jonë tek Broja ishte shumë e gjatë. Ishin dy nga mbrojtësat më të mirë pas tij. Pozicioni i sulmuesit shkon si rreshtohet skuadra në fushë, në momente të ndryshme të lojës. Nëse skuadra qëndron lart edhe sulmuesi furnizohet më shumë me topa. Ne pas shënimit të golit ndaj Italisë qëndruam të tërhequr dhe kjo e la pak vetëm Brojën“, tha më tej Agolli./tvklan.al