Pas një periudhe të gjatë në rënie të lirë, monedha Euro është ringritur gjatë ditëve të fundit sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë duke u afruar pranë kufirit të 100 Lekëve në këmbimin valutor.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 Euro blihet me 98.8 Lekë, ndërsa shitet me 99.8 Lekë në të gjitha pikat e këmbimit valutor.

Ky është niveli më i lartë i regjistruar që prej Gushtit të vitit të kaluar, periudhë e cila përkon edhe me kulmin e sezonit turistik, kohë e cila ka prurje më të shumta të valutave e aq më tepër të monedhës europiane.

Rritje të konsiderueshme pësuan gjatë ditëve të fundit edhe valutat e tjera, si Paundi britanik dhe Dollari amerikan.

Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të tërheqë më shumë Euro nga tregu gjatë këtij viti për të mbajtur të stabilizuar kursin e këmbimit valutor.

Në krahasim me vitin 2024, në kalendarin vjetor të Bankës Qëndrore është parashikuar të tërhiqen nga tregu rreth 350 milionë Euro.

Kursi i këmbimit Euro-Lek e mbylli vitin 2024 në kufirin e 98.15 Lekëve, shumë pranë nivelit minimal historik në vendin tonë.

Klan News